SHKOZET- Një 60 vjeçar nga Durrësi u përplas ditën e sotme nga një automjet afër mbikalimit të Sukthit dhe për pasojë ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Ai u përplas teksa po kalonte në anën tjetër rrugës duke shmangur kështu përdorimin e mbikalimit. Drejtuesja e mjetit që përplasi këmbësorrin është shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me lajmin paraprak të dhënë paraditen e sotme, për një aksident rrugor, sipas të cilit, nga kontakti i menjëhershëm me vendngjarjen dhe nga konstatimet paraprake të shërbimeve mjekësore, i dëmtuari, shtetasi Y. H. (këmbësor) kishte humbur jetën, ju bëjmë me dije se:
Informacioni paraprak është lapsus, pasi shtetasi Y. H. nuk ka humbur jetën, por është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërhyrja e menjëhershëm e shërbimeve mjekësore dhe asistenca e specializuar e ofruar nga ekipi mjekësor, ndaj këtij shtetasi, pas transportimit në spital, kanë bërë të mundur shpëtimin e jetës së shtetasit Y. H., i cili aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Shtetasi Y. H. ndodhet aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa shtetasja A. B., drejtuesja e automjetit që shkaktoi aksidentin, është shoqëruar në ambientet e Policisë, për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.
*Sqarim: Fillimisht Policia e Durrësit raportoi se 60-vjeçari kishte ndërruar jetë, por më pas e përgënjeshtroi duke thënë se ishte lapsus.