Sot do të mbahet mbledhja e përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi, ku do të nënshkruhen 11 marrëveshje mes dy vendeve në fusha të caktuara. Takimi pritet që të mbahet në Podgoricë në ambientet e Akademisë Malazeze të Shkencave dhe Arteve (CANU).
Ceremonia pritëse e dy delegacioneve u zhvillua rreth orës 10:45 minuta, me ekzekutimin e himneve përkatëse. Ndërsa më pas dy kryeministrat u njohën me delegacionet qeveritare që do të marrin pjesë në mbledhjen e përbashkët
LEXO EDHE: Agjenda/ Shqipëria dhe Mali i Zi firmosin 9 marrëveshje të hënën
Në orën 13:00 do të bëhet nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët dhe Marrëveshjes Bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna. Në mbledhjen e qeverive do të nënshkruhet edhe marrëveshja që do t’i hapë rrugë ndërtimit të pikës së re kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Konkretisht, pritet të nënshkruhen nëntë marrëveshje dhe memorandume në fushat e energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe Marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë-Pulaj në territorin e Shqipërisë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore, kryeministrat Edi Rama dhe Dritan Abazovic do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp./abcnews.al