Prej më shumë 2 vitesh tashmë ideja për krijimin e një “Superlige Evropiane” është duke u përsëritur vazhdimisht me ish-Presidentin e Juventus, Andrea Agnelli dhe Presidentin e Real Madrid, Florentino Perez, që konsiderohen si “pionerët” e kësaj nisme.
Në një intervistë për gazetën prestigjioze hollandez “De Telegraaf”, ish-“numri 1” i Juventus e ka shpjeguar edhe një herë rëndësinë e krijim të kësaj “Superlige”, teksa thekson se është në të mirë të të gjithë tifozëve dhe klubeve, në Evropë, ku të gjitha do të kenë mundësi për fitimin e trofeut, të paktën sipas asaj çka thotë Agnelli.
“Superliga është e nevojshme sepse nëse gjithçka mbetet e parashikueshme, siç është tani, publiku do të largohet nga futbolli. A do të vazhdojë Hollanda të shikojë futboll ndërkombëtar nëse Ajax , Feyenoord apo PSV nuk do të kenë kurrë një shans për të fituar apo luftuar për të fituar?
Prandaj lind ideja e një lige të re evropiane me divizione të shumta dhe një skemë promovimi dhe rënieje, me kushtet e barabarta për klubet. Ne duhet të mendojmë për gjashtëdhjetë apo tetëdhjetë klube në të gjithë Evropën. Me përvojën time 13 vjeçare në industrinë e futbollit dhe duke ditur se si funksionojnë gjërat, kam mbledhur ide dhe them se është koha për liga më të drejta.
Në Evropë, tregjet më të mëdha marrin gjithashtu më së shumti pika në Ligën e Kampionëve dhe për rrjedhojë edhe të ardhurat më të mëdha. Pra, nëse sistemi aktual ruhet, hendeku midis klubeve angleze dhe spanjolle dhe pjesës tjetër vetëm sa do të rritet. Ndoshta me përjashtim të PSG-së dhe Bayern Munichut.
Në vend të kësaj, ne duhet të përpiqemi për demokraci sportive. A nuk ka të drejtë klubi polak të ketë sukses? A ju mungon tifozëve polakë pasioni për futbollin?”,- është shprehur për të disatën herë Agnelli, në lidhjen me krijimin e “Superligës Evropiane”. /i.m /abcnews.al