BE miraton paketën e radhës të sanksioneve për Rusinë

schedule08:00 - 25 Shkurt, 2023

schedule 08:00 - 25 Shkurt, 2023

Bashkimi Evropian ka miratuar raundin e 10-të të sanksioneve kundër Rusisë, tha të premten Presidenca suedeze e Këshillit të BE-së. “Ka kaluar një vit që nga pushtimi brutal dhe i paligjshëm i Ukrainës nga Rusia, sot BE miratoi paketën e 10-të të sanksioneve ruse”, tha presidenca në Twitter.

Presidenca suedeze e BE-së shtoi se paketa e re ka vendosur “sanksionet më të forta dhe më të gjera ndonjëherë për të ndihmuar Ukrainën të fitojë luftën”.

Paketa përfshin: Masat e kufizuara kundër individëve dhe subjekteve që mbështesin luftën, përhapin propagandë ose dërgojnë dronë të përdorur nga Rusia në luftë; Masat kundër dezinformatave ruse; Kufizime më të rrepta të eksportit në lidhje me përdorimin e dyfishtë dhe teknologjinë.

“BE qëndron e bashkuar me Ukrainën dhe popullin ukrainas. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, për aq kohë sa të duhet”, vazhdoi presidenca.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson shkroi në Twitter se ai përshëndeti marrëveshjen e BE-së për raundin e saj të 10-të të sanksioneve. “Për të mbajtur unitetin në mbështetje të Ukrainës është prioriteti numër një për Presidencën suedeze të BE-së”, shkroi ai.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell ka paralajmëruar se blloku evropian do të vazhdojë vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim presionin ndaj Rusisë  dhe do ta bëjmë këtë për aq sa të ketë nevojë, derisa Ukraina të çlirohet nga agresioni brutal rus”, ka thënë ai përmes një deklarate.

Borell ka thënë se sanksionet e fundit kanë goditur sektorin bankar, qasjen e Moskës në teknologji që mund të përdoret për qëllime civile dhe ushtarake dhe në teknologjinë e avancuar.

Në paketën e re përfshihen sistemet e armatimit, përfshirë dronët, raketat, helikopterët dhe kamerat termike në listën e eksporteve të ndaluara. Në listë janë shtuar edhe 96 subjekte që mbështesin kompleksin ushtarak dhe industrial rus, përfshirë edhe shtatë kompani iraniane që prodhojnë dronë ushtarakë për Moskën.

Kufizimet tjera janë vënë në importin e produkteve që gjenerojnë të hyra për Rusinë, përfshirë asfaltin dhe gomën sintetike. Të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së do të duhet të miratojnë këto sanksione, ashtu që të zbatohen.

/abcnews.al