Nga Hergi Llupi
Është mbyllur java e ndeshjeve në kompeticionet më të rëndësishme evropiane.
Ajo që është vënë re është se skuadrat italiane të gjitha kanë bërë shumë mirë në këto sfida, madje disa prej tyre kanë siguruar kualifikimin për në çerekfinale.
Në Champions League, Milan arriti të fitonte në shtëpi ndaj Tottenhamit me rezultatin 1-0. Një gol nga Brahim Diaz në minutën e shtatë të sfidës bëri që kuqezinjtë të shkojnë të favorizuar disi në ndeshjen e kthimit që do të luhet në Angli.
Më pas ishte Napoli i cili vazhdon të befasojë me performancën e tyre, jo vetëm në Serie A, por edhe në kompeticionet evropiane. Në ndeshjen e parë të eliminimit direkt në Champions League përballë Frankfurtit, në shtëpinë e këtyre të fundit, të kaltërit e Spallettit arritën të fitonin me rezultatin 0-2. Nga një gol në të dyja pjesët, me Osimhen në minutën e 40-të dhe Di Lorenzon në minutën e 65-të, bëri që skuadra kryesuese në Itali të luajë ndeshjen e kthimit në “Maradona Stadium” me vetëbesim dhe me një dorë mbi biletën e çerekfinales.
Ekipi i tretë që fitoi në Champions nga skuadrat italiane ishte Interi, me zikaltërit të cilët fituan në San Siro ndaj Portos me rezultatin 1-0. Goli i Lukakut pranë përfundimit të sfidës i dha zikaltërve një fitore tepër të rëndësishme ndaj një kundërshtari të fortë si Porto, edhe pse në Portugali gjatë ndeshjes së kthimit nuk do të jetë e lehtë për djemtë e Inzaghit. Ndeshja ishte e dominuar nga Interi, me një lojë tepër kompakte dhe e luftuar. Një mbrojtje e jashtëzakonshme ndaj disa kundërshtarëve tepër të shpejtë e teknikë. Gjithashtu edhe portieri kamerunas, Andre Onana bëri një paraqitje fantastike duke shpëtuar disa herë portën e zikaltërve.
Në Europa League, Roma pësoi një humbje minimale ndeshjen e parë ndaj Salzburg në Austri, por mbrëmjen e djeshme në ndeshjen e kthimit, kryeqytetasit e Italisë fituan 2-0 duke mundur kështu të kualifikohen për në çerekfinale.
Juventus gjithashtu arriti të siguronte biletën e fazës tjetër. Pas barazimit 1-1 në Itali ndaj Nantes, bardhezinjtë arritën të fitonin 0-3 në transfertë falë tre golave të Angel Di Maria.
Sukses kishte edhe për dy ekipet e tjera italiane në Conference League. Lazio arriti të kualifikohej për në fazën tjetër ndaj CFR Cluj, pasi sfidën e parë e fitoi 1-0, ndërsa në ndeshjen e kthimit barazuan 0-0. Fiorentina më pas ishte e mrekullueshme në dy raundet e ndeshjes së tyre të parë në këtë fazë me eliminim direkt ndaj Bragës. Në ndeshjen e parë, Fiorentina fitoi thellë me rezultatin 0-4 ndaj Bragës në Portugali, ndërsa të kthimit në Firence arritën ta fitonin me përmbysje, me rezultatin 3-2, duke bërë të mundur kështu kualifikimin në raundin tjetër./ h.ll/abcnews.al