Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se të hënën në takimin në Bruksel do t’iu përmbahet vijave të kuqe për çështjen e Kosovës.
Para gazetarëve Vuçiq ka thënë se sa i përket planit evropian, do t’i përmbahen vijave të kuqe ndonëse ka shtuar se i presin “netë të vështira”.
“Gjithçka që kam thënë në Kuvend, e kuptoj shqetësimin tuaj dhe unë jam i shqetësuar dhe na presin shumë netë të vështira, por Serbia do t’i përmbahet për atë që jam unë dhe atë që thashë në Kuvendin e Republikës së Serbisë. ‘Sido që të jetë ashtu le të jetë’”, ka thënë ai.
Presidenti i Serbisë ka deklaruar poashtu se u ka dërguar letër ndërkombëtarëve për stacionet policore në veri.
“Po, këtë personalisht e kam bërë në bisedën me trupat e KFOR-it dhe me Miroslav Lajçakun dhe Borellin dhe me të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë me të cilët kam folur. Fjalë për fjalë me të gjithë, dhe me shkrim nga Lista Serbe deri në Zyrën për Kosovë, fjalë për fjalë e kemi dërguar në të gjitha adresat, kjo është puna jonë, por sa më përket mua, nuk mendoj se kam nënshkruar disa, nga ato letra, dua të them për përfaqësuesit e shteteve mosnjohëse, në letrën që kam firmosur, nuk jam i sigurt, duhet të kontrolloj, nuk ma ka thënë këtë, por më duket se do marr diçka para të hënës”, tha Vuçiq.
Ai ka thënë se çështja e energjisë në veri të Kosovës nuk ka përfunduar ende dhe se sipas tij, e njëjta është problem i madh.
“Dëgjoni, unë do t’ju them se çështja e energjisë nuk ka përfunduar ende dhe se nuk do t’ju shpjegoj se sa i madh është problemi dhe nëse do të japin një licencë ose t’ju heqin licencën, për të drejtat e shpërndarjes, e kështu me radhë, por të gjithë e dinë thelbin e komunitetit të komunave serbe, kështu do t’i qaseni zgjidhjes së problemeve të komunitetit të komunave serbe, faleminderit, kjo është e gjitha”, ka thënë ai.
/KosovaPress/