Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka paralajmëruar gjoba dhe masa penalizuese deri në mbylljen e aktivitetit për subjektet që lejojnë konsumimin e duhanit në ambiente publike.
Gjoba dhe masa deri në mbylljen e aktivitetit për shkelësit e ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, paralajmëroi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
“Nëse një subjekt shkel 2 herë rresht brenda dy muajve nenin që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të brendshme, gjoba do të jetë sa dyfishi i gjobës së parë. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës”.
Ministrja tha se masa të rrepta do të merren edhe për kryeinspektorët që mbyllin sytë ndaj shkeljeve që hasin në terren. Manastirliu kërkoi që qytetarët dhe subjektet të informohen me ndryshimet ligjore, para fillimit të marrjes së masave.
Ndalimi i përdorimit të duhanit në ambiente publike vlen edhe për cigaren elektronike, shishan apo nargjilen. Në 6 muajt e parë 2019, për zbatimin e këtij ligji, nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor janë vendosur 296 gjoba për shkelësit e ligjit të duhanit. /
ABC News Albania 24/7