Shkupi i “terrorizuar nga bombat”, analisti: Nuk dihet se kush fshihet pas kërcënimeve

schedule16:32 - 21 Shkurt, 2023

schedule 16:32 - 21 Shkurt, 2023

SHKUP- Maqedonia e Veriut ka qenë objekt kërcënimesh me bombë prej disa muajsh. Një rast i tillë u regjistrua edhe ditën e sotme, ku krahas institucioneve të ndryshme, kërcënim me bombë pati edhe në Pallatin Presidencial.

“Ballkan Update” në Abc News në emisionin e sotëm kishte në fokus pikërisht këtë ngjarje, e cila vuri në lëvizje autoritet më të larta të Maqedonisë së Veriut. Analisti Xhelal Nezir thotë se ende nuk dihet se kush qëndron pas këtyre kërcënimeve, megjithëse aludohet se ka gisht Rusia.

“Sot ka qenë një rrëmujë e vërtetë në Shkup, ka pasur lajmërime për bombë jo vetëm në presidencë, por në shkolla dhe qendra tregtare. Ka qenë një operacion, i cili është ndërmarrë nga njerëz që nuk dihen se kush janë. Institucionet e shtetit nuk kanë arritur të gjejnë se kush qëndron pas lajmërimeve për bombë. Alarmet janë të pranishme në mënyrë ciklike”, tha ai.

Në lidhje me mundësitë e zgjidhjes së “ngërçit” të krijuar mes RMV dhe Bullgarisë, analisti tha se aktualisht nuk ka zhvillime në këtë drejtim. Ai thotë se tejkalimi i pengesave mund të bëhet kur të dyja vendet përmbushin detyrimet karshi njëra-tjetrës, pavarësisht se një klimë të tillë nuk ndihet në terren.

“Nuk shikoj se ka një relaksim të situatës midis të dyja vendeve. Duhet përfshirja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës. Duhet ndryshimi i Kushtetutës së RMV. Dhe kjo situatë nuk krijon një premisë, që proceset të ecin më mirë përpara. Vendet duhet të përmbushin obligimet”, tha ai/n.m.abcnews.al