Menjëherë pasi u diagnostikua me kancer të prostatës, një burrë nga Karolina e Veriut, SHBA, filloi të fliste me një theks irlandez, pavarësisht se nuk e kishte vizituar kurrë vendin. Sindroma e rrallë dhe paradoksale vazhdoi deri në vdekjen e tij.
Ky fenomen është hera e parë që regjistrohet te një pacient me kancer të prostatës dhe vetëm hera e tretë që regjistrohet tek një pacient me kancer.
Në artikullin e British Medical Journal, nuk ka shumë informacione të tjera për pacientin, përveç se ai ishte rreth 50 vjeç. Ai kishte jetuar në Britani më shumë se tre dekada më parë dhe kishte miq dhe të afërm të largët në Irlandë.
“Theksi i tij ishte i pakontrollueshëm dhe gradualisht u bë i përhershëm”, raportojnë studiuesit. Fillimisht u shfaq rreth 20 muaj pas fillimit të trajtimeve të kancerit dhe nuk u largua edhe pse gjendja e pacientit u përkeqësua.
Testet neurologjike nuk treguan asgjë të dyshimtë, dhe ai nuk kishte as histori psikiatrike. Mjekët dyshojnë se sindroma është për shkak të çrregullimit neurologjik paraneoplastik (PND), një “sulm” i sistemit imunitar të pacientit në tru dhe sistemin nervor.
Sindroma e theksit të huaj ka filluar të regjistrohet vitet e fundit në mbarë botën, raporton BBC. Disa nga pacientët me sindromë raportuan se kishin dëgjuar një “zë të huaj” kur flisnin./abcnews.al