Presidenti rus Vladimir Putin do të takohet me presidentin e Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko të premten, sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov.
“Po, një takim i tillë është duke u përgatitur,” tha Peskov.
Peskov tha se takimi do të zhvillohet në rezidencën zyrtare të Putinit në Novo-Ogaryovo në rajonin e Moskës. Lukashenko njoftoi më herët të enjten gjatë një konference për shtyp me gazetarët se do të takohej me Putinin, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve BELTA.
Lukashenko është një aleat i ngushtë i homologut të tij rus dhe të dy vendet kanë organizuar stërvitje të përbashkëta ushtarake. Rusia përdori territorin bjellorus si një nga pikat e saj hyrëse për pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.
Stërvitjet e përbashkëta ushtarake gjatë vitit të kaluar kanë kontribuar në rritjen e shqetësimeve se trupat bjelloruse mund të bashkohen me forcat ruse në Ukrainë, por Lukashenko ka hedhur poshtë vazhdimisht spekulimet se trupat e tij do t’i bashkohen luftimeve në Ukrainë.
Rusia ka shpenzuar miliarda dollarë për të mbështetur regjimin e Lukashenkos. Dhe pasi zgjedhjet presidenciale të manipuluara në 2020 lëkundën udhëheqjen e gjatë të Lukashenkos, duke shkaktuar protesta të shumta pro-demokratike, ai arriti të mbante pushtetin me ndihmën e Putinit.
/abcnews.al