Si çdo vit, edhe gjatë këtij sezoni turistik, në disa prej rrugëve të vendit vijojnë problematika për sa i përket qarkullimit të automjeteve dhe trafik të rënduar. Akset më problematike sipas Drejtorit të Policisë Rrugore janë destinacionet turistike, ndërsa plani i masave është hartuar disa muaj më parë.
Për të ulur numrin e aksidenteve rrugore me vdekje, duhet shtuar sinjalistika vertikale dhe horizontale në sidomos në zonat turistike. Gjatë një komunikimi për mediat në autostradën Tiranë-Durrës, drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola, theksoi se edhe pse plani i masave është hartuar disa muaj më parë, por përsëri ka akse problematike me trafikun.
“6-mujori i këtij viti referuar me 6-mujorin e vitit të kaluar ka një numër më të ulët aksidentesh. Janë rreth 65-70 aksident me pasojë më pak se viti i kaluar. Pra trendi është ulës. Edhe viktimat dhe numri i pasojave të themi është në trend ulës. Për Policinë Rrugore dhe administratën çdo aksident është analizuar, është i rëndësishëm kështu që vlerësohet në maksimum edhe në kuadrin e masave për sezonin turistik”, tha ai.
Për të garantuar sigurinë e mjeteve, Policia Rrugore ka angazhuar edhe shërbime shtesë, pasi shkeljet më të shpeshta gjatë kësaj kohe janë shpejtësia dhe konsumimi i alkoolit.
“Akset më të ngarkuara të paktën ditën e shtunë dhe të dielën vazhdojnë e mbeten dalja nga Tirana, segmenti rrugor interurban Tiranë-Durrës, është pjesa e Gjirit të Lalëzit, është pjesa e Durrësit në drejtim të Vlorës. Pjesa me hapjen e bypass-it të Fierit ka njëfarë lehtësimi dhe mbetet problematike pjesa e zonës së Vlorës që del në drejtim të bregdetit të Jonit”, tha Tola.
Rrethrrotullimi i Saukut, përgjatë autostradës Tiranë-Elbasan vijon të konsiderohet si njollë e zezë për ekspertët e sigurisë rrugore, ku në orët e para të së shtunës një drejtues automjeti humbi jetën, pasi u përplas me bordurën.
“Në rrethrrotullim ka një tabelë kufizues që fillon nga 90, 60, 30 deri në 0 dhe do respektohet. Ka nevojë për përmirësim të vazhdueshëm. Pas çdo ngjarje rrugore, pas çdo inspektimi që kryen policia rrugore evidentohen të gjitha shkeljet dhe të gjitha mungesat dhe çdo mungesë evidentohet tek enti pronar i rrugës”, tha Tola.
Ndërsa Tola jepte intervistën pas krahëve të tij u regjistrua një aksident, por fatmirësisht vetëm me dëme të vogla materiale./ABC News Albania 24/7