Avni Zogiani, këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se propozimi nga fondacioni gjerman Friedrich-Ebert-Stiftung për asociacionin e komunave serbe nuk është pranuar për shkak se është i ngjashëm me marrëveshjen e Vuçiç-it me Isa Mustafën në Bruksel në 2015-ën.
Siç tha ai, marrëveshja e 2015-ës bie ndesh me disa pika të Kushtetutës së Kosovës. Ai thotë se kjo marrëveshje, e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, nuk është zyrtarizuar në asnjë moment me Serbinë dhe nuk mund të konsiderohet si e tillë për shkak se nuk e ka marrë kurrë formën e plotë.
Gjatë intervistës me gazetaren Linda Karadaku në Abc Neës, ai tha: “Kemi të bëjmë me një marrëveshje që mund të konsiderohet inekzistente për shkak se ka dështuar në zbatueshmërinë e saj. Kjo marrëveshje është çështje e presioneve diplomatike. Po insistohet për zbatimin e marrëveshjes së 2015.
Pra, diplomacia perëndimore edhe Serbia insistojnë për një marrëveshje që nuk është ratifikuar por është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese.“, tha ai. Sipas tij, Perëndimi nuk po e dëgjon mjaftueshëm palën kosovare ndërsa nga ana tjetër Serbia refuzon një diskutim serioz për asociacionin.
Siç shtoi ai, një marrëveshje, e njëanshme nga ana e Kosovës, nuk do të sjellë asgjë.
“Kosova ka dhënë gjëra konkrete duke marrë premtime që nuk realizohen. Prandaj insistimi është të flasim se çfarë mund të bëhet në këtë sens. Kryeministri ka folur për një asociacion që shkel vendimin e Kushtetueses pra nuk mund të jetë një etnik sepse e ka thënë Kushtetuesja.
Diplomatë ndërkombëtarë nuk dëgjojnë mjaftueshëm palën kosovare. Kemi një taktizim diplomatik që nuk mund të kurorëzohet me veprime sporadike por me një tryezë serioze e cila do të sjellë një zgjidhje sepse me të tilla marrëveshje kemi bërë për 15 vite edhe nuk e ka zgjidhur problemin.“, tha ai./abcnews.al