Presidenti amerikan Joe Biden mbajti të martën në mbrëmje fjalimin e tij të dytë për gjendjen e vendit ku dha një mesazh optimizmi dhe bashkimi për të ardhmen. Ai u bëri thirrje republikanëve për bashkëpunim, por nuk u përmbajt t’i sfidonte ata për çështje si taksat ndaj korporatave dhe mbrojtjen e programeve të pensioneve.
Ai paraqiti vizionin e tij për të “rikthyer shpirtin e vendit, rimëkëmbur klasën e mesme, shtyllën kurrizore të Amerikës, dhe për të bashkuar vendin”. Mesazhi i presidentit Biden ishte se “duhet të mbarojmë punën e nisur”.
“Plani im ekonomik përqendrohet tek investimi në vende dhe njerëz që janë harruar”, tha ai.
Presidenti Biden foli për forcën e demokracisë amerikane.
“Dy vjet më parë, demokracia jonë u përball me kërcënimin e saj më të madh që nga Lufta Civile. Sot, edhe pse e dëmtuar, demokracia jonë mbetet e papërkulur dhe e pathyer”, tha ai duke iu referuar sulmit ndaj Kapitolit nga mbështetësit e paraardhësit të tij republikan, Donald Trump më 6 janar 2021.
“Për miqtë e mi republikanë, nëse arritëm të punonim së bashku në Kongresin e fundit, nuk ka asnjë arsye që të mos punojmë së bashku në këtë Kongres të ri. Populli na dërgoi një mesazh të qartë”, tha ai duke iu referuar faktit se pas zgjedhjeve të nëntorit, Kongresi është i ndarë me Dhomën e Përfaqësuesve nën kontrollin republikan dhe Senatin nën atë demokrat.
“Lufta për hir të luftës, pushteti për hir të pushtetit, konflikti për hir të konfliktit, nuk na çon askund”, tha ai.
Fjalimi prej 73 minutash u prit me entusiazëm nga demokratët por jo nga republikanët që me reagimin e tyre përforcuan idenë e ndasive politike në vend. Presidenti mbajti fjalimin në një moment kritik në mes të presidencës së tij 4-vjeçare, i përgatitur për të mbrojtur arritjet e tij, edhe pse shumë amerikanë besojnë se ai nuk ka arritur shumë deri tani.
“Historia e Amerikës është një histori përparimi dhe qëndrueshmërie. Ne jemi i vetmi vend që ka dalë nga çdo krizë më i fortë sesa kur hymë. Dhe këtë gjë po bëjmë përsëri”, tha Presidenti.
Ai e vuri theksin tek rimëkëmbja ekonomike.
“Dy vjet më parë ekonomia jonë po vuante. Ndërsa qëndroj këtu para jush sot, ne kemi krijuar një numër rekord prej 12 milionë vendesh të reja pune – më shumë vende pune të krijuara në dy vjet. Dy vjet më parë, COVID mbylli bizneset, shkollat dhe na kishte privuar nga aq shumë. Sot COVID-i nuk kontrollon më jetën tonë”, tha presidenti.
Megjithë fokusin e presidentit tek arritjet e administratës së tij, një sondazh i ri i gazetës Washington Post dhe televizionit ABC News arrin në përfundimin se 62% e amerikanëve mendojnë se ai ka arritur “jo shumë” ose “pothuajse asgjë” në dy vitet e para të mandatit të tij.
Biden foli për probleme të brendshme si dhuna nga armët, forca e ekzagjeruar e policisë, kriza e varësisë nga droga dhe imigracioni.
“Nëse nuk do të miratoni planin tim gjithëpërfshirës për reformë të imigracionin, të paktën miratoni planin tim për të siguruar paisjet dhe oficerët për të siguruar kufirin, Dhe një rrugë drejt shtetësisë për Ëndërrimtarët, ata me status të përkohshëm, punonjësit e fermave dhe punonjësit e domosdoshëm”, tha ai.
Biden shpesh ka përmendur vendet e reja të punës hapur gjatë mandatit të tij, miratimin e legjislacionit për të luftuar ndryshimet klimatike dhe përmirësimin e infrastrukturës së vendit. Pjesa më e madhe e fjalimit të tij u përqendrua tek çështjet e brendshme, një shenjë e përgatitjes së terrenit për shpalljen e kandidaturës për një mandat të dytë presidencial. Fjalimi për gjendjen e vendit i dha atij një platformë në këtë drejtim.
Shumica e demokratëve, sipas një ankete të agjencisë së lajmeve Associated Press dhe Qendrës për Studimin e Çështjeve Publike, NORC para fjalimit mendonin se një mandat është i mjaftueshëm për Presidentin Joe Biden.
Nuk dihet ende nëse fjalimi i tij do ta ndryshojë këtë qëndrim.
Presidenti Biden foli edhe për rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në koalicionin perëndimor që po qëndron në krah të Ukrainës ndërsa ajo përballet me agresionin e Rusisë.
“Së bashku ne bëmë atë që Amerika bën më mirë. Udhëhoqëm. Bashkuam NATO-n dhe ndërtuam një koalicion global. Ne qëndruam përballë agresionit të Putinit. Ne qëndruam në krah të popullit ukrainas”, tha ai.
Kina ishte tema tjetër madhore ndërkombëtare. Presidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara duan konkurrencë por jo konflikt me Kinën. Megjithatë duke iu referuar incidentit me balonën kineze të përgjimit …
“Të jeni të sigurt: siç e bëmë të qartë javën e kaluar, nëse Kina kërcënon sovranitetin tonë, ne do të veprojmë për të mbrojtur vendin tonë. Dhe atë bëmë”, tha ai.
Menjëherë pas fjalimit të presidentit, erdhi përgjigjia republikane e cila nuk lë shumë shpresë për një mbyllje të hendekut mes dy palëve.
Guvernatorja e Arkansasë, Sarah Huckabee Sanders, e cila ishte sekretare shtypi për ish-presidentin Donald Trump, hodhi poshtë vizionin optimist të Biden në fjalimin e saj në emër të Partisë Republikane pas atij të presidentit.
“Administrata e Biden duket më e interesuar për fantazitë e ideologjisë liberale sesa për realitetin e vështirë me të cilin amerikanët përballen çdo ditë. Shumica e amerikanëve thjesht duan të jetojnë jetën e tyre në liri dhe paqe, por ne jemi nën sulm në një luftë kulturore nga krahu i majtë që nuk e filluam ne dhe nuk e deshëm kurrrë”, tha ajo.
Jeff Bennet, profesor në Universitetin e Vanderbiltit, një ekspert i retorikës presidenciale dhe stilit presidencial të komunikimit thotë se mesazhi i përsëritur nga Presidenti Biden për “të mbaruar punën” dhe për unitet, është pjesë e strategjisë së tij për të treguar se është i gatshëm të arrijë të punojë me palën tjetër për të punuar për popullin amerikan.
“Është një objektiv i vështirë duke pasur parasysh ndasitë e thella partiake që karakterizojnë aktualisht Kongresin, por është një temë që do ta hasim shpesh ndërsa i afrohemi zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024”, tha ai.
/abcnews.al