Një aplikacion i ri për telefonat inteligjentë i quajtur FAST.AI mund t’i ndihmojë njerëzit dhe ata rreth tyre të dinë në kohë reale nëse kanë një goditje në tru. Aplikacioni me anë të kamerës së pajisjes, njeh simptomat e zakonshme të një goditjeje kur ndodh.
Aplikacioni videomon fytyrën dhe trupin, duke përdorur sensorë dhe algoritme për të zbuluar shenja të tilla si fytyra “e ënjtur” në njërën anë, mpirje e duarve ose të folurit të paqartë. Testet e para tregojnë se aplikacioni ka një saktësi diagnoze të ngjashme me atë të një neurologu. Diagnoza e hershme e një goditjeje mund të përshpejtojë trajtimin dhe kjo kohë e vlefshme e fituar ka të ngjarë të minimizojë efektet afatgjata të episodit, duke rritur shanset për një shërim të plotë.
Studiuesit, të udhëhequr nga profesori i neurologjisë i Universitetit të Kalifornisë, Los Anxhelos (UCLA) me origjinë bullgare, Radoslav Raiçev, njoftuan për aplikacionin në Konferencën Ndërkombëtare të Shoqatës Amerikane të Zemrës në Dallas, Teksas. Aplikacioni u testua në 270 pacientë me një moshë mesatare 71 vjeç, të cilët ishin diagnostikuar me goditje në katër spitale bullgare.
Neurologët bullgarë ekzaminuan pacientët dhe në të njëjtën kohë testuan aplikacionin, më pas krahasuan rezultatet. FAST.AI zbuloi asimetri të fytyrës (një simptomë klasike e goditjes në tru) në gati 100% të pacientëve dhe gjithashtu identifikoi dobësi të krahut në mbi dy të tretat e rasteve. Gjithashtu zbuloi ngadalsimin e të folurit për shkak të goditjes.
Goditjet ishemike përbëjnë rreth 85% të të gjitha goditjeve në tru (pjesa tjetër është hemorragjike). Ilaçet antitrombotike duhet të administrohen brenda pak orësh nga fillimi i simptomave. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më e ulët është incidenca e goditjes ishemike. Sipas Shoqatës Amerikane të Goditjeve, mesatarisht 1.9 milionë qeliza të trurit vdesin çdo minutë. Pacientët që marrin mjekim brenda 90 minutave të para pas një goditjeje kanë gati tre herë më shumë gjasa të shërohen pa komplikime.
“Shumë pacientë me goditje në tru nuk arrijnë në spital në kohë për të marrë terapinë antitrombotike, që është një arsye pse është jetike të njihen simptomat e goditjes në tru dhe të thirrasi menjëherë një ambulancë”, tha Dr Raichev.
Aplikacioni plotësisht i automatizuar, i zhvilluar nga kompania Neuronics Medical (ku Raichev është bashkëthemelues), në bashkëpunim me Shoqatën Bullgare të Neurologjisë dhe në veçanti presidentin e saj Ivan Milanov, është ende në fazën e zhvillimit dhe të testimit kështu që ende nuk është i disponueshëm për publikun.