Në Kosovë nisin sërish përplasjet mes krerëve të institucioneve për sa i përket taksës prej 100 për qind së vënë nga qeveria e Kosovës ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
“Ka një pragmatizëm këtu, unë e mbroj interesin tim, duke mos lejuar asnjëherë që komunikimi me Serbinë, forma në të cilën komunikoj me Serbinë të bartet njëtrajtshëm edhe me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Ky është dallimi mes meje dhe Kryeministrit Haradinaj, i cili duhet ta bëjë këtë dallim”.
Kjo deklaratë e kryetarit të parlamentit të Kosovës Kadri Veseli dhënë Zërit të Amerikës ka zgjuar reagimin e kryeministrit Ramush Haradinaj. Sipas Haradinajt nëse të gjithë krerët e shtetit do të ishin unik në qëndrime edhe SHBA-ja do t’i kishte përkrahur më shumë. Haradinaj është pyetur edhe për qëndrueshmërinë e koalicionit pas mospajtimeve të tyre.
“Ne kemi një raport të marrëveshjeve në punë, kemi dallim, është konfirmuar edhe me deklaratën e Veselit, kam pas raste në një takim jo në një po në disa, nuk është në rregull kjo, e dobësojmë veten kështu, jo koalicioni, ai vazhdon. Çështja më e rëndësishme është a mbrohet interesi Kosovës në raport me palët tjera”, tha Haradinaj.
Qeveria e Kosovës në Nëntor të vitit të kaluar ka vënë 100% taksë produkteve serbe derisa kjo ka rezultuar me ndërprerjen e dialogut nga ana e Beogradit. Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht insiston që taksa të hiqet derisa ka qëndrime të kundërta edhe ndërmjet partnerëve të koalicionit në Kosovë rreth kësaj çështjeje./ABC News Albania 24/7