Nesër seanca e fundit parlamentare

schedule15:12 - 17 Korrik, 2019

schedule 15:12 - 17 Korrik, 2019

Nesër, Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë seancën e tij të fundit për këtë sesion. 15 projekt/ligje priten të miratohen në axhendën e ngjeshur me 23 pika në total.

Një seancë parlamentare maratonë do të jetë ajo që do të zhvillohet ditën e enjte, e fundit për këtë sesion. Në rendin e ditës është parashikuar një interpelancë urgjente me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, miratimi i dy projekt/vendimeve, raporti vjetor i Këshillit të Ministrave mbi zbatimin e politikave në shërbimin civil për vitin 2018 dhe miratimi i 15 projekt-ligjeve.

Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal është një prej tyre. Disa prej masave të reja ndëshkimore kanë të bëjnë me neglizhencën në trajtimin mjekësor ku dënimet do të variojnë nga gjobë deri në shtatë vjet burgim. Goditjet për shkak të detyrës do të ndëshkohen deri në 5 vjet burg. Për t’i dhënë fund dhunës në aktivitetet sportive janë përcaktuar dënime deri në 5 vjet burg. Mashtrimi me produktet ushqimore do të dënohet deri në 10 vjet burg.

Drita jeshile do t’i hapet edhe miratimit të kontratës së koncensionit Partneritet Publik Privat për ndërtimin e dy akseve të rëndësishme rrugore. Porti i Jahteve-By Pass Orikum-Dukat dhe projektimi, ndërtimi dhe mirëmbajtja e segmentit rrugor Milot-Balldren. Dy projekt/ligjet votohen me shumicë të thjeshtë votash.

Po kaq vota i nevojiten edhe projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” ku është parashikuar të hiqen e propozimet e pakërkuara nga sektori privat.

Në këtë seancë është vendosur për miratim edhe ndryshimet në projekt ligjin për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë ku sipas relacionit shoqërues: Ndryshimet që propozohen janë të domosdoshme për mirëfunksionimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Larte të Prokurorisë, të cilët gjatë veprimtarisë se tyre po hasin vështirësi për shkak të mungesës së parashikimeve ligjore për mbledhjet plenare të këshillave, që ka sjellë probleme në funksionimin dhe vendimmarrjen e tyre.

Për të garantuar mirëfunksionimin normal dhe në përputhje me kompetencat e parashikuara në ligj, të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si organi përgjegjës për hetimin e shkeljeve të kryera nga gjyqtarët dhe prokurorët janë propozuar edhe disa ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Të dy këto projekt/ligje kërkojnë votim me shumicë prej 3/5 e të gjithë deputetëve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!