Sukseset e shqiptarëve nëpër botë, po shtohen gjithmonë e më shumë. Më i fundit është në fushën e kinematografisë, ku regjisorja shqiptare Evi Gjoni ka shënuar disa arritje me filmin e saj “Çarçafët”. Ky film ka pasur premierën botërore në Itali, ku është vlerësuar me dy çmime të rëndësishme, atë të jurisë dhe atë të publikut.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Evi ka folur për këtë eksperiencë dhe vlerësimin e arritur me “Çarçafët”.
“Për mua ishte një ndjesi shumë e bukur, sepse ishte premiera e parë fare e filmit tim. Festivalet kanë një kriter dhe preferojnë që t’i të kesh premierën botërore dhe nëse unë do të kisha bërë një premierë në Shqipëri do kisha penalitete, nuk do të pranohesha dhe ishte një ndjesi shumë e mirë për mua se çmimin që mora e mora nga publiku, sepse aty në atë festival kishte shumë pjesëmarrës që ishin nga nacionalitete të huaja dhe që kishin ardhur për të ndjekur filmin, qoftë dhe artistë që ishin pjesë edhe ata me punët e tyre dhe besoj që do të thotë shumë sepse në fund të ditës ne përqasjen nga publiku duhet ta marrim dhe unë nga ata e mora. Sigurisht që nuk lë pas as çmimin e jurisë, që do të thotë që jam vlerësuar dhe nga ana profesionale. Dmth kjo ishte befasia se zakonisht publiku preferon diçka tjetër që juria zgjedh.
Duke qenë se jam konsultuar me njerëz të ndryshëm, qoftë dhe në festival, apo edhe në Shqipëri, profesionistë, mendoj që ajo që e bëri edhe jurinë të më vlerësonte ishte mënyra se si ishin ndërthurur të gjithë elementët në film. Skenari i ndërthurur me mënyrën e xhirimit, ngjyrat e përdorura, lëvizjet e kameras, sepse ndriçimi është një nga elementët në film. Duhet të jenë të gjitha vlerat e bashkura të gjitha bashkë që ajo të funksionojë. Sigurisht që një lloj impakti ka dhënë edhe stili, që ishte distopik. Pra, ishte i vetmi film pak më ndryshe edhe në festival, sepse filmat e tjerë kishin aktualitetin, dramë, komedinë. Ndërsa ky kishte stilin që ishte më i veçantë nga të gjithë”, u shpreh ndër të tjera regjisorja./abcnews.al