Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar një kompani kineze se ka ndihmuar grupin Wagner në sigurimin e imazheve satelitore të Ukrainës për të mbështetur operacionet luftarake të tyre, sipas BBC.
Instituti i Kërkimeve të Shkencës dhe Teknologjisë Hapësinore Changsha Tianyi është në mesin e 16 grupeve të sanksionuara nga Departamenti i Thesarit. Firma, e njohur gjithashtu si Spacety China, ka zyra në Pekin dhe Luksemburg.
Spacety China i kishte ofruar Terra Tech, një firme teknologjike me bazë në Rusi, imazhe satelitore (SAR) të vendndodhjeve në Ukrainë, tha në një deklaratë të enjten Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit të SHBA-së.
“Këto imazhe ndihmuan operacionet luftarake të Wagner në Ukrainë,” tha ai. Departamenti ka sanksionuar gjithashtu filialin e Spacety me bazë në Luksemburg.
Kina, një aleate e ngushtë e Rusisë, është përpjekur të mbajë një qëndrim neutral në lidhje me luftën në Ukrainë. Ajo është kritikuar nga SHBA-ja dhe aleatët e saj se ka refuzuar të dënojë pushtimin e Rusisë kundër Ukrainës.
/abcnews.al