Partia Demokratike thotë se çmimi i karburanteve do të rritet dhe kjo është pranuar edhe nga ministrja Belinda Balluku. Sipas Edmond Spahos, agjencia e re shtetërore për menaxhimin e rezervave të naftës është një skemë tjetër korruptive.
“Edi Rama po rrit sërish çmimin e karburantit, duke zhvatur miliona euro të tjera nga xhepat e qytetarëve më të varfër të Europës. Ministrja e Energjisë Belinda Balluku, e nxjerr në shesh këtë gënjeshtër të Edi Ramës me shpjegimet ligjore që ka çuar në Kuvend. Në fund të shpjegimit të ligjit që rrit çmimin e karburanteve për të mbajtur me para Agjencinë e Edi Ramës, thuhet qartë se “kostot mund të ndikojnë në çmimin e konsumatorit fundor”.
Aktualisht, Shqipëria e ka të rregulluar shumë mirë rezervën e sigurisë së karburanteve, pa kosto të tjera shtesë mbi qytetarët. Këtë gjë e bëjnë kompanitë private prej 20 vjetësh me një praktikë të konsoliduar ligjore. Kjo e bën krijimin e agjencisë së propozuar prej Edi Ramës një vendim puro hajdutëror, që rrit çmimin e karburantit dhe hap rrugën për një tjetër koncesion për klientët e Edi Ramës”, tha Spaho./ABC News Albania 24/7