Labirintet e Gjirokastrës, sot atraksion për turistët

schedule14:46 - 14 Korrik, 2019

schedule 14:46 - 14 Korrik, 2019

Skutat e fshehtat në Gjirokastër ose njohur ndryshe si labirinte do t’u afrohen turistëve si një atraksion i rrallë. Ato janë zbuluar gjatë punimeve në Qafën e Pazarit dhe 400 vjet më parë shërbenin për mbrojtjen e produkteve të ndryshme të tregtarëve.

Dikur u ndërtuan që banorët e tregtarët të ruanin produktet në kushtet frigoriferike. Sot labirintet e lashta të zbuluar në themelet e banesave në Gjirokastër do të kthehen në atraksion turistikë për vizitorët.

Ishin punimet për rehabilitimin e Qafës së Pazarit që hodhën dritë në këtë anë të panjohur të qytetit të gurtë. Objektet e vjetra janë ndërtuar në një moment të caktuar të historisë që përkon me themelimin e qytetit, dhe para viteve ‘90 ato janë mbyllur.

Të fshehtat e Gjirokastrës e vërtetojnë edhe harqet mahnitëse tek lokal “Kashau” të cilat u zbuluan pak kohë më parë. Pronari i këtij biznesi Hairi Kashahu thotë se është një sipërfaqe prej 28-30 m që do të rikonstruktohet duke ruajtur elementët antikë të saj.

Labirintet e qytetit të gurtë shërbenin si mënyrë komunikimi mes tregtarëve, të cilët shkëmbenin mallrat e tyre pa qenë nevoja të shkonin në pjesën e sipërme të qytetit.

Pjesa më e madhe e bizneseve ishin të ndërtuara në disa nivele dhe labirintet përbënin nivelin më të ulët, të ndërtuar në mënyrë të tillë edhe për të ruajtur produktet në kushte frigoriferike për të mos u prishur.

Sa i takon periudhës së ndërtimit nuk ka një datë fikse, megjithëse sipas historianëve mendohen se kanë nisur rreth shekullit të 17-18 periudhë kjo që përkon dhe me themelimin e qytetit të gurtë.

Pazari në formën që ka sot është ndërtuar rreth 400 vjet më parë. Fillesat i ka brenda mureve të kalasë që identifikonin qytetin e Gjirokastrës. Me rritjen e popullsisë familjet u detyruan të dalin jashtë mureve rrethuese të kështjellës duke hedhur themelet e para të konstruksioneve tregtare. Vjetërsia e Pazarit të Gjirokastrës përmendet në dokumentet e udhëtarëve të njohur të pas Mesjetës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!