Skënderbeu akuzon KAS: Proces i manipuluar

schedule19:15 - 13 Korrik, 2019

schedule 19:15 - 13 Korrik, 2019

Skuadra e Skënderbeut akuzon Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv se procesi ishte i manipuluar dhe nuk u morën në konsideratë raportet shkencore të ekspertëve të basteve sportive. Klubi korçar zbulon se do ta ndjek çështjen në Gjykatën Federale Zvicerane.

Skuadra e Skënderbeut ka reaguar zyrtarisht pas vendimit te KAS për të lënë në fuqi dënimin e UEFA-s me 10 vite jashtë kupave të Evropës dhe gjobë prej 1 mln euro. Klubi i Skënderbeut akuzon gjykatën e arbitrazhit sportive se procesi ishte i manipuluar dhe nuk u morën në konsideratë raportet shkencore të ekspertëve të basteve sportive dhe të ekspertëve sportiv të KF Skënderbeut.

“Procesi ndaj klubit tonë ka qenë i paragjykuar, i njëanshëm dhe i paracaktuar që prej vitit 2016.  Është e papranueshme që CAS të mos marrë në konsideratë raportet shkencore të ekspertëve të basteve sportive dhe të ekspertëve sportiv të KF Skënderbeut, të cilët në mënyrë metodike dhe shkencore kane hedhur poshtë çdo argument të ngritur nga UEFA.

Mbi të gjitha, është e papranueshme që të mos merren në konsiderate mbi 50 kundër-prova të paraqitura nga pala jonë, kur nga ana tjetër, e gjithë strategjia e inspektorëve të UEFA’s mbështetej mbi dëshmi personash anonim (as identiteti i tyre nuk na është bërë i ditur) ose personash të cilët kanë konflikt të hapur interesi në lidhje me procesin.

Brenda muajit Korrik 2019, KF Skënderbeu do të paraqesë rekurs pranë Gjykatës Federale Zvicerane kundër vendimit të CAS datë. 12.07.2019. Duke qenë të bindur mbi pafajësinë tonë, ruajmë besimin se e drejta do të vihet në vend. Skënderbeu do të vazhdojë aktivitetin e tij më të njëjtin përkushtim, vizion dhe ambicie për të arritur rezultate edhe më të mira se ato të sezoneve të shkuara. Me Respekt, KF Skënderbeu”.

Gjykata federale e Zvicrës është e vetmja mundësi e mbetur për Skënderbeun që të kërkojë pafajësinë. Në gjykatën në fjalë nuk ka seancë dëgjimore por vetëm shqyrtim ligjor pa i gjykuar çështjet në themel por vetëm anën procedurale nëse është zbatuar ose jo ligji për palët e përfshira./ABC News Albania 24/7