Jehonë e madhe per fitoren e Federerit ndaj Nadalit në Uimbelldon

schedule15:30 - 13 Korrik, 2019

schedule 15:30 - 13 Korrik, 2019

Jehonë e madhe për fitoren e Rozher Federerit ndaj Rafael Nadalit në Uimbëlldon. Legjenda zvicerane e tenisit do të luajë në finale ndaj numrit 1 të botës, Novak Gjokoviç.

A mundet që në moshën 37-vjeçare të hedhësh poshtë ligjet e fizikut njerëzor dhe të luftosh për trofeun më të rëndësishëm në sportin tënd?

Rozher Federer, njeriu që habiti kaq shumë duke u bërë më i madhi i të gjitha kohëve në tenis pa pasur një trup të vërtetë atletik, sfidoi sërish gjithçka dhe u kualifikua për në finalen e Grand Slemit më të vjetër të botës, atij të Uimbëlldonit.

Mënyra sesi e bëri dhe rivali që kaloi për t’ia arritur, e madhështojnë edhe më shumë famën e zviceranit që duket sikur ka ndaluar kohën, pavarësisht se vitet ecin.

Federer mposhti rivalin e tij më të madh në karrierë, Rafael Nadalin, duke fituar 3-1 në gjysmëfinale, e duke u kualifikuar për në finalen e 12-të të tij në Londër.

Do të kërkojë të shtojë legjendën, të fitojë titullin e 9-të në “Oll Inglënd Klab”, edhe pse përballë do të ketë rivalin tjetër më të madh, Novak Gjokoviçin.

Nëse ia arrin, do të barazonte rekordin absolut, që mbahet nga Martina Navratilova me 9 trofe.

“Jam i shteruar, – tha zvicerani pas ndeshjes, – ishte shumë e vështirë. Rafa luftoi fort deri në fund, por pikët më të rëndësishme ishin në anën time. Ndaj Novakut do të jetë po ashtu e vështirë, pasi ai ka luajtur një Uimbëlldon të madh. Dua të falenderoj gruan time, Mirkën, për mbështetjen e madhe, pasi pa të nuk do t’ia kisha dalë kurrë”.

Federeri kaloi ndaj spanjollit 33-vjeçar 3-1 me sete, 7-6, 1-6, 6-3 e 6-4, ndërsa ishte më shumë i qendrueshëm sesa Rafa.

Pavarësisht moshës, shpejtësisë e fizikut të Nadalit, ai ruajti qetësinë dhe tregoi epërsinë si specialist në fushat me bar.

“Përgëzime Rozherit për fitoren e merituar, – ishin fjalët e Rafës, – unë bëra gjithçka, por Federer ishte më i mirë këtë herë. Kam pasur disa mundësi në Uimbëlldon, por nuk kam arritur t’i shfrytëzoj. Do të vazhdoj të luftoj në të ardhmen për ta fituar këtë turne”.

Disa nga emrat e mëdhenj të sportit në botë ndoqën duelin dhe reaguan.

Ish-ylli i NBA-së, Kobi Brajant: “Niveli i tenisit luajtur nga Rozher Federer dhe Rafael Nadal në Uimbëlldon, është i jashtëzakonshëm!”

Portieri I Spanjës dhe i Mançester Junajtidit, David De Gea: “Ju falenderoj që më bëtë ta dashuroj tenisin, Federer dhe Nadal!”

Ish-ylli I kombëtares së Anglisë, Geri Lineker: Federer dhe Nadal! Djema, do të na mungoni kur t’i jepni fund karrierës! Kaq brutalisht e bukur!”

Legjenda e tenisit australian, Rod Lejvër: “Miku im i madh, më i miri i të gjitha kohëve, Rozher Federer, mjeshtri i padiskutueshëm i Uimbëlldonit, dha një tjetër paraqitje të madhe. Rafa iu përgjigj fort, ndërsa do të jetë një finale epokale!”

Finalja e madhe do të jetë Federer-Gjokoviç, një nga tre të mrekullueshmet.

Gjokoviç mundi po 3-1 spanjollin Roberto Bautista Agut, duke e pasur pak më të lehtë.

Setet ishin 6-2, 4-6, 6-3, 6-2 në favor të serbit që do të kërkojë titullin e 5-të në Uimbëlldon, ndërsa arriti finalen e 25-të Grand Slem.

“Ky turne ka qenë ëndrra ime që kur isha fëmijë, – tha numri 1 I botës, – pra, arritja në finale është një ëndërr që realizohet, edhe pse jo deri në fund. Tani më duhet ta fitoj. Një finale në Uimbëlldon është krejtësisht e veçantë, e pakrahasueshme. Nuk ishte e lehtë, por ia dola, ndërsa përballë Federerit nuk I dihet kurrë”.

Në finale, Federer mund të fitojë titullin e 21-të të Çmimit të Madh në karrierë, ndërsa Gjokoviç të 16-in. /ABC news Albania 24/7