Ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Mirela Kumbaro po mban një konferencë për mediat ku po bën bilancin e 2022-it dhe objektivat për vitin 2023. Gjatë fjalës së saj, ministrja u ndal tek lumi Vjosa duke thënë se këtë vit pritet të shpallet parku i parë kombëtar i një lumi të egër në Evropë.
Ministrja zbuloi gjithashtu se do të bashkëpunojnë me Greqinë për shpalljen e një parku ndërkufitar pasi kilometrat e para të këtij lumi ndodhen në shtetin fqinj.
“Brenda këtij viti do të shpallet me statusin më të lartë të mbrojtjes duke e kthyer në një pasaportë të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes së natyrës në të gjithë botën. Në samitin e biodiversitetit në Kanada, Shqipëria mori certifikatën e plotësimit të të gjitha standarteve ndërkombëtare në këtë proces dhe do të ndodhë shpallja e një lumi të egër park kombëtar në Evropë.
Kjo e bën atë shumë zonë interesante, e promovon. Por fjala është për promovimin e gati një të tretës të Shqipërisë.”, u shpreh ministrja. Gjithashtu, ministrja zbuloi se do të mundësojnë pajisjen e të gjitha bashkive që derdhen në këtë lumin Vjosa me impiante të trajtimit të ujërave të ndotura.
“Për lumin e Vjosës kem një plan shumë të madh që e kemi përgatitur gjatë vitit 2022. Pajisja e të gjitha bashkive që derdhen në lumin e Vjosës me impiante të trajtimit të ujërave të ndotura, është revolucion sepse janë 7 bashki që do pajisen. S’flasim dot për Vjosën si mbretëreshën e lumenjve të Evropës ndërkohë që sot derdhen 7 bashki në të si mungesë e këtij investimi. Ky investim shkon në 80 milionë dollarë”, tha Kumbaro./abcnews.al