Bajerni nis përgatitjet, kampionët nuk janë të kënaqur

schedule13:50 - 11 Korrik, 2019

schedule 13:50 - 11 Korrik, 2019

Futbollistët e Bajernit u paraqitën në kompleksin e klubit në Mynih, për t’u bërë gati për sezonin e ri, ndërsa atmosfera në klub nuk është shumë e mirë. Drejtuesit nuk po marrin dot yjet e kërkuar.

Pushimet mbaruan dhe puna nisi përsëri, veçse jo gjithçka të lumturon.

Një klimë disi ndryshe tek Bajerni, me klubin e madh gjerman, të pakënaqur nga konkurrenca e rivalëve milionerë, që nuk po e lejojnë të bëjë goditjet e mëdha në treg.

Pak ditë pasi trajneri Niko Kovaç shpërtheu ndaj klubeve-shtete që dëmtojnë kampionen e Gjermanisë, ishte radha e presidentit Uli Hënes të dilte në dritaren e zyrës së tij dhe të ndiqte me vështrim jo shumë entuziast ditën e parë të punës për sezonin e ri.

Bajerni nuk ishte i plotë në fushë, por Hënesin nuk e shqetësojnë yjet që nuk janë kthyer ende nga pushimet, veçse ata që ndoshta nuk mund të vijnë.

Leroi Sane, objektivi kryesor i verës, mbetet ende larg, edhe pse bavarezët nuk kanë ndërmend të kursehen.

Ata mund të paguajnë 110 apo 120 milionë euro, veçse vetë futbollisti nuk po jep shenja pozitive.

Edhe objektivat e tjera, që nga Dembele I Barcelonës, Hadson-Odoi I Çelsit, apo Timo Verner i Lajpcigut, janë të dëshiruar, por të vështirë për t’u marrë.

Më të mundshëm janë Janik Karrasko, Hakim Zijeç i Ajaksit, Dani Olmo I Dinamos së Zagrebit apo Lion Bejli (Leverkusen).

Deri tani, Bajerni ka marrë vetëm dy lojtarë, edhe pse që të dy janë kampionë të botës, me Francën.

Lukas Hernandez, ish-mbrojtës i Atletikos së Madridit kushtoi 80 milionë euro, ndërsa Pavar, mbrojtës i ardhur nga Shtutgarti, u mor për më pak.

Këtyre u shtohet sulmuesi i ri, Arp, i cili nuk është se vlerësohet aq shumë për momentin.

Gjithsesi, Hënesi pati një kënaqësi duke parë stërvitjen e bavarezëve, pasi trajneri Kovaç e kishte ndërtuar fushën në mënyrë të tillë, që të vinte duke u ngushtuar sa më shumë lojtarët i afroheshin portës.

“Më shumë ritëm, më shumë shpejtësi”, – ishin fjalët e kroatit, ndërsa për lojtarët pati më shumë dyluftime, sepse hapësira zvogëlohej.

Pritet ende të vijnë lojtarët e ekipeve kombëtare, ndërsa Lukas Hernandez vazhdon stërvitjen individuale për shkak të dëmtimit në gju./ABC News Albania 24/7