Kremlini ka njoftuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ku kanë diskutuar për luftën në Ukrainë.
Në njoftimin e dhënë për mediat theksohet se lideri rus ka shprehur shqetësimin e tij për armët që Perëndimi ka dërguar në Ukrainë, e cila që prej 24 shkurtit të vitit të kaluar është kthyer në fushëbetejë.
Putin e ka quajtur hipokrizi të Kievit refuzimin e armëpushimit gjatë Krishtlindjes Ortodokse.
Rikujtojmë se Erdogan është bërë ndërmjetës dhe synon të arrijë një marrëveshje mes palëve në konflikt për shkëmbimin e të burgosurve të luftës, veçanërisht të plagosurve.
Rusia nga ana tjetër ka paralajmëruar perëndimin se furnizimi me një raund të ri armësh më të avancuara në Ukrainë nuk do ta ndryshojë rrjedhën e luftës.
“Ata po përdorin Ukrainën si një mjet për të arritur qëllimet e tyre anti-ruse”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kur u pyet për tanket britanike. Këto tanke po digjen dhe do të digjen ashtu si të tjerët,” shtoi Peskov.
Britania e Madhe konfirmoi të shtunën se do të dërgojë 14 nga tanket kryesore të betejës Challenger 2, si dhe mbështetje të tjera të avancuara artilerie në Ukrainë në javët e ardhshme.
Zëdhënësi i Kremlinit, sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA, mohoi gjithashtu ekzistencën e ndonjë konflikt midis ministrisë ruse të mbrojtjes dhe grupit mercenar Wagner.
/abcnews.al