Disa herë në shenjestër të kritikave/ Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Lambrecht para dorëheqjes?

schedule10:28 - 14 Janar, 2023

schedule 10:28 - 14 Janar, 2023

Sipas disa raportimeve në media, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht do të japë dorëheqjen. Gazeta gjermane “Süddeutscher Zeitung” shkruan, se Christine Lambrecht do të dorëzojë detyrën javën e ardhshme. Kurse sipas gazetës “Bild” iniciativa për dorëzimin e postit vjen nga vetë politikanja socialdemokrate. Sipas mediave arsye për dorëzimin e detyrës nga ministrja e Mbrojtjes është krijimi i bindjes tek Lambrecht, se nevojitet një fillim i ri në Ministrinë e Mbrojtjes. Por zyrtarisht nuk është konfirmuar asgjë.

Lambrecht u ndodh disa herë në qendër të kritikave. Së fundmi një video Natën e Vitit të Ri shkaktoi reagime e kritika të forta. Lambrecht poston në mediat sociale një video, ku në sfondin e e zhurmën e fishekzjarreve që hidhen në Berlin, ajo flet për fundin e vitit dhe se ky vit ka qenë me “shumë impresione të veçanta, takime me njerëz interesantë dhe të mrekullueshëm”. Deklarata e saj para luftës në Ukrainë me shumë të vdekur, u konsiderua e pavend. Opozita e CDU/CSU kërkoi dorëheqjen e Lambrecht pas videos. Por kritika ka pasur edhe për problemet në furnizimin e Bundeswehrit apo shfaqjen e saj publike.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrotjes tha se “janë zëra që ne nuk i komentojmë.” Sipas të dhënave të ARD-së, dorëheqja e Lambrecht është “me shumë gjasa”. Kancelari Scholz do të humbiste një ministre besnike, sipas korrespondentit të ARD, Stephan Stuchlik. Pasuesin e pret një detyrë shumë e vështirë, sepse Ministria e Mbrojtjes ndodhet para ndryshimeve të mëdha, kjo në lidhje me jetësimin e fondit gjigand prej 100 miliardë eurosh të vënë në dispozicion për mbrojtjen pas fillimit të luftës në Ukrainë. Sipas “Süddeutscher Zeitung” shanse për këtë post do të kishte Eva Högl e SPD-së, aktualisht e ngarkuara për ushtrinë e Bundestagut./dw

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!