Bashkia e Tiranës ka përfunduar së rikonstruktuari dy godinat më të mëdha në “Qytetin Studenti”. Kryebashkiaku Erion Veliaj pasi inspektoi punimet u shpreh se çdo pikë e Paktit për Universitetin po gjen zbatim.
Rreth 600 vajza që banojnë në konviktet e “Qytetit Studenti” do të kenë kushte më të mira jetese. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e dy prej godinave më të mëdha, asaj 9 dhe 10.
“Konvikti 9 dhe 10 ka 200 dhoma, më i madh se hoteli më i madh në Tiranë. Të bësh një rikonstruksion hoteli merr 1 apo 2 vjet, por ta bësh në 1 apo 2 muaj është realisht një arritje e jashtëzakonshme. Dua të falenderoj të gjithë ata që kontribuan. Skepticizmi i ditëve të para, kur kryeministri dhe kryetari i bashkisë dhanë premtimin se do bëheshin brenda verës, tani është shuar sepse gjithsecili mjafton të bëjë një xhiro dhe të zbulojë se si është mbajtur fjala në çdo pikë të kontratës për Paktin me Universitetin”.
Kryebashkiaku Veliaj siguroi studentët se punimet do të vijojnë dhe në tre godinat e mbetura, ndërsa u bëri thirrje të rinjve që kanë vendosur të ndërtojnë jetën e tyre në kryeqytet të regjistrohen në gjendjen civile pranë zonës ku jetojnë. Në këtë mënyrë u shpreh kryebashkiaku i Tiranës bashkia shpërndan më mirë investimet dhe shërbimet në komunitet. /ABC News Albania 24/7