Nga Gerta Vasku,
Pas një mungese gjatë dy viteve të pandemisë, gripi është rikthyer në qarkullim, duke sjellë fluks të qytetarëve që kërkojnë shërbim mjekësor.
Prof.dr.Arben Pilaca, mjek Infeksiolog dhe Drejtor i Departamentit të Mjekësisë Interne në spitalin Hygeia thotë se situata është bërë më problematike për shkak se gripi po bashkëqarkullon me Covid dhe infeksione të tjera që prekin rrugët respiratore.
“Nga të dhënat që ka OBSH në hemisferën veriore po qarkullon një miks, duke filluar me Covid, gripi, apo edhe virusi rsv. Nuk kemi të bëjmë me një sulm viral vetëm nga gripi, por edhe nga Covid dhe viruse të tjera. Kjo e ka bërë më problematike situatën. Duke qenë tre viruse shtohet edhe numri i njerëzve që preken. Të gjitha bashkë, janë infeksione respiratore që prekin rrugët e frymëmarrjes”, u shpreh mjeku Infeksionist.
I pyetur se si t’i dallojmë simptomat e gripit dhe Covidit që janë kryesisht të ngjashme, ai u përgjigj: “Gripi ka një shpërthim, temperaturë të lartë, infeksionet e Covid I kanë por në formë më të zbutur. Shenja karaktersitike është dhimbja e fytit të Covid. RSV më shumë prek moshat e vogla“.
Më të rrezikuarit janë të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët. Mjeku këshillon që të mos neglizhohet asnjë shenjë.
“Pjesa më e madhe e njerëzve që preken e kalojnë butë. Një pjesë tjetër ka nevojë për kontroll. Nuk duhet ta neglizhojmë që në shoqëri ka grupe vurnerable që rrezikojnë edhe jetën. Nuk duhet neglizhuar. Situate është e ngjashme me atë të pandemisë, sigurisht jo me të njëjtin agresivitet. Te kemi kujdes me higjenën personale, me personat vulnerabël, që të mos jemi burim i transmetimit. Të shkëputemi nga kontakti me këta njerëz, ambientet të jenë sa më të ajrosura“, tha më tej Pilaca.
Mjeku rekomandon kujdes me higjenën personale dhe të ruhet distanca. Gripi është në pikun e tij dhe parashikohet që situata të normalizohet në muajin mars./abcnews.al