Policia ka arrestuar nënë e bir në Tiranë për vjedhjen e një shumë të konsiderueshme parash dhe sendeve në një banesë në Tiranë. Në pranga ka rënë Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në banesën në rrugën e Kosovarëve, dhe i biri Havier, të cilët kanë marrë shuma parash dhe sende prej 120 mijë euro.
Policia bën me dije se ka sekuestruar mbi 8 milionë lekë të rinj të dyshuar të vjedhur në këtë banesë, sende me vlerë, 3 automjete, 2 prej tyre të blera me paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së këtij krimi.
“Nga provat e siguruara në kuadër të këtij operacioni, rezultoi se gjatë periudhës që shtetasja R. D. ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e një banese në rrugën e Kosovarëve, kjo shtetase, në bashkëpunim me shtetasin H. D. (djali i saj), ka vjedhur në këtë banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, të cilat arrijnë në vlerë totale, rreth 120 mijë euro.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie.”, njofton policia.
/abcnews.al