Dy shqiptarë, Kreshnik Çerçizaj(objektivi) dhe miku i tij Armando Ogranaja, u ekzekutuan disa ditë më parë në qendër të Athinës. Mediet greke kanë publikuar pamje të reja, që tregojnë momentet para vrasjes.
Bashkëpunëtori e la autorin e armatosur dhe të maskuar 200 metra larg kafenesë në sheshin e Nea Smyrni.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës. Dy shqiptarët vdiqën, ndërsa një vajzë mbeti e plagosur.
Sipas ANT1, një video e re tregon autorin, i cili pasi ekzekutoi shqiptarët brenda kafenesë hipi në një motoçikletë të drejtuar nga bashkëpunëtori i tij.
Siç shihet në videon e një kamere biznesi, dy personat ndalojnë 200 metra larg kafenesë ku ishin ulur dy viktimat. Kur motori ndalon, njeriu me të zeza zbret dhe niset drejt kafenesë në shesh.
Brenda dy minutash ai mbërriti në kafene dhe qëlloi gjakftohtësisht dy shqiptarët. Më pas doli me vrap nga dyqani duke lënë pas dy të vdekur dhe një grua të plagosur nga një plumb endacak.
Bashkëpunëtori i autorit e priste me motorin ndezur.
Sipas burimeve policore, efektivët e Departamentit të Vrasjeve kanë grumbulluar një sasi të madhe video-materiale dhe kanë hartuar arratisjen e dy të shpallurve në kërkim./Abcnews.al/