Nuk ka forcë në botë që të vendosë në diskutim aleancën shqiptaro amerikane. Kështu ka deklaruar presidenti Ilir Meta në Tropojë ku u shpreh i sigurt se historia e dy vendeve dhe është shumë e thellë dhe është e parrezikuar, pavarësisht se intrigat asnjëherë nuk do të përfundojnë për t’i përçarë shqiptarët në emër gjoja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Rruga Gjakovë-Qafë Morinë- Tropojë do të mbajë emrin Eliot Engel, kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongresin Amerikan. Një rast i mirë për Presidentin e Republikës që t’i kundërpërgjigjet atyre që e kritikojnë si përçarës të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
“Nuk ka forcë në botë, që të vendosë në diskutim aleancën shqiptaro-amerikane”, tha ai.
Jo vetëm periudha komuniste nuk e zhbëri dot këtë aleancë por as kjo e sotmja nuk prodhon dot intriga për të përçarë këto dy vende deklaroi Presidenti Ilir Meta.
“Për shkak se historia e dy vendeve dhe kombeve tona është shumë e thellë dhe është e parrezikuar, pavarësisht se intrigat asnjëherë nuk do të përfundojnë për t’i përçarë shqiptarët në emër gjoja të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Mesazhin Presidenti i Republikës e dha gjatë ceremonisë së vlerësimit me titullin Qytetar Nderi i Tropojës, kongresmenit Eliot Engel për kontributin historik dhënë për miqësinë shqiptaro-amerikane dhe përkushtim ndaj çështjes shqiptare.
“Aleanca mes popullit shqiptar dhe atij amerikan gjithmonë do të sjellë fat. Ua them miqve të mi në Nju-Jork dhe Uashington se mund të udhëtosh anembanë botës si amerikan, por askund nuk do të trajtohesh aq mirë se sa nga miqtë tanë shqiptarë”, tha Engel.
Pas kësaj ceremonie, Presidenti i Republikës së bashku me Kongresmenin Engel vendosën në shenjë respekti një buqetë me lule te shtatorja e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari në sheshin kryesor të Bajram Currit, në prani të personaliteteve të ftuar dhe drejtuesve të pushtetit vendor./ABC News Albania 24/4