Misteri i përvojave afër vdekjes në kujtesën e 28 të mbijetuarve

schedule23:00 - 21 Dhjetor, 2022

schedule 23:00 - 21 Dhjetor, 2022

Ajo çfarë ndodh kur vdes, ndjesitë që provon dhe përvojat që ke jetuar, janë ende një mister magjepsës që ka vite që kërkon përgjigje. Disa kërkime shkencore janë përpjekur të investigojnë mbi këtë dukuri, dhe tani një studim i madh i prezantuar në fillim të këtij muaji në simpoziumin mbi ringjalljen kardiopulmonare të Shoqatës Amerikane të Zemrës

ka gjetur tek pacientët që kanë qenë në prag të vdekjes (dhe me sa duket të pavetëdijshëm) praninë e majave të aktivitetit të trurit, të ashtuquajturat valët gama, delta, theta, alfa dhe beta deri në një orë pas ringjalljes. Disa nga këto valë të trurit vërehen normalisht kur njerëzit janë të vetëdijshëm dhe kryejnë funksione më të larta mendore, përfshirë të menduarit, rikthimin e kujtesës dhe perceptimin e vetëdijshëm.

Studimi u krye nga studiues në Shkollën e Mjekësisë Grosman në Nju Jork, SHBA, dhe përfshiu 567 burra dhe gra, zemra e të cilëve pushoi së rrahuri gjatë shtrimit në spital dhe që u rikthyen në jetë midis majit 2017 dhe marsit 2020 në Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe.

Pavarësisht trajtimit të menjëhershëm, vetëm 1 në 5 pacientë i mbijetoi arrestit kardiak pas ringjalljes kardiopulmonare. Dhe vetëm 28 prej tyre ishin në gjendje të flisnin dhe t’i përgjigjeshin intervistës së studiuesve. Studimi u drejtua nga mjeku britanik Sem Parnia, ekspert në kujdesin intensiv në qendrën mjekësore të “NYU Langone Health”, që vëzhgon prej mbi 20 vitesh se çfarë ndodh kur ndalon zemra.

Ai raportoi se shumë pacientë kishin treguar se i mbanin mend veprimet e mjekëve mbi trupin e tyre. Të mbijetuarit, të lidhur me pajisjet e monitorimit të trurit, raportuan se kishin përvoja unike “të kthjellëta”, të tilla si perceptimi i ndarjes nga trupi, vëzhgimi i ngjarjeve pa dhimbje apo shqetësim dhe bërit e analizave kuptimplota të jetës, duke përfshirë veprimet, synimet dhe mendimet e tyre ndaj të tjerëve.

Studiuesit kanë zbuluar se këto përvoja të vdekjes janë të ndryshme nga halucinacionet, deluzionet, iluzionet, ëndrrat ose ndërgjegjja e shkaktuar nga rianimimi. “Këto përvoja të kujtuara dhe ndryshimt e valëve të trurit mund të jenë shenjat e para të asaj që njihet si një përvojë afër vdekjes”- thotë Sem Parnia.

Dy nga 28 pjesëmarrësit që u intervistuan, kujtuan se kishin dëgjuar punën e stafit mjekësor ndërsa ishin duke u reanimuar. Një pacient tjetër raportoi se kishte parë mjekët duke i pastruar gjoksin. Tre pacientë folën për përvojat e vizioneve të ndryshme.

Të tjerë mbanin mend se kishin bërë një analizë të jetës së tyre duke gjykuar për ndikimin që kishte pasur ajo tek të tjerët. Gjashtë pacientë thanë se e mbanin mend përvojën e vdekjes (një grua tha se kishte dëgjuar gjyshen e saj të vdekur prej kohësh t’i thoshte të kthehej në trupin e saj).

Disa individë mendonin se po shkonin në një destinacion që e perceptonin si shtëpinë e tyre, të tjerë kujtuan veprimet e mjekëve dhe infermierëve në reanimacion. “Identifikimi i shenjave elektrike të matshme të aktivitetit të kthjellët dhe intensiv të trurit, së bashku me rikujtimin e historive të ngjashme të përvojave të vdekjes, sugjerojnë se ndjenja e njeriut për veten dhe vetëdijen, ashtu si funksionet e tjera biologjike të trupit, mund të mos ndalen plotësisht në këtë moment të vdekjes. Rezultatet e studimeve tona, tregojnë se ndërsa jemi në prag të vdekjes ose në koma, njerëzit i nënshtrohen një eksperience unike të vetëdijes së brendshme, duke përfshirë vetëdijen pa ankth”- thekson Parnia.

Ky studim është pjesa e fundit e kërkimit mbi këtë aspekt ende të pa eksploruar të kërkimit. Hulumtimi i botuar disa kohë më parë në “Frontiers in Aging Neuroscience”, kishte regjistruar valët e trurit të një njeriu që vdiq nga një atak në zemër, duke zbuluar se truri, edhe pasi zemra kishte pushuar së rrahuri, vazhdoi ende aktivitetin e tij: vetëm 30 sekondat, e fundit e jetës.

Menjëherë para dhe menjëherë pas arrestit kardiak, u vu re një rritje e valëve shumë specifike të trurit të njohura si lëkundjet gama, të lidhura me aktivitete të tilla si rikthimi i kujtesës, meditimi dhe ëndërrimi. /Corriere.it/