Dy pretendentët e Wimbledon

schedule14:07 - 4 Korrik, 2019

schedule 14:07 - 4 Korrik, 2019

Dy pretendentë vazhduan me fitoret në Uimbëlldon. Adoleshentja Kori Gof dhe kampioni Novak Gjokoviç, arritën suksese të lehta dhe vazhdojnë rrugën drejt trofeut.

Janë dy yje të tenisit të ndryshëm sa më s’bëhet.  Kori Gof është fillestarja e paracaktuar nga fati, të paktën kështu thonë, dhe mund të quhet se i ka buzët ende “me qumësht”, ndërsa Novak Gjokoviç është kampioni në fuqi i Uimbëlldonit, sot në moshën 31-vjeçare.

Fitoret i patën, sidoqoftë, të ngjashme, ndonëse serbi luajti një set më shumë, siç është rregulli tek meshkujt. Amerikania, pasi mposhti patrioten e saj Venus Uilliams në raundin e parë, kaloi edhe çeken Magdalena Ribarikova me shifrat 2-0 me sete.

Nuk iu desh shumë kohë dhe lodhje, ndërsa 15-vjeçarja u duk sërish si në shtëpinë e vet, në tapetin më të famshëm të barit në të gjithë botën.

Shifrat e seteve ishin 6-3 e 6-3, ndërsa në raundin e tretë do të ndeshet me Polona Hercogun. Parashikuesit ende nuk e japin si favorite vajzën e rritur në Floridë, por ajo nuk ka ndërmend të pyesë shumë për atë që mendojnë të tjerët.

Gjokoviç, ndërkaq, fitoi ndaj amerikanit Denis Kadla (Kudla) dhe rreziku më i madh që pati ishte një rrëzim paksa problematik.  Për fat, nuk ishte dëmtim dhe Nole vazhdoi ndeshjen pa pengesë deri në fund.

Shifrat 3-0 me sete u materializuan me rezultatin 6-3, 6-2 e 6-2.  Edhe pse nuk është një specialist i përsosur në bar, si Rozher Federer, Gjokoviç ia del të jetë pretendent i madh dhe favorit, jo më kot ka fituar 4 tituj në Uimbëlldon.  Në turin e tretë do të ketë përballë polakun Hurkash./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!