SHBA në finale të botërorit të femrave

schedule14:30 - 3 Korrik, 2019

schedule 14:30 - 3 Korrik, 2019

Kombëtarja amerikane u kualifikua mes polemikave për në finalen e Botërorit të femrave. Suksesi ndaj Anglisë u shoqërua me kritika për festimin e njërit prej golave.

Fitore e vogël për një sukses të madh. Kombëtarja e futbollit të femrave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u kualifikua edhe një herë tjetër për në ndeshjen fundore të një botërori, për në finale, dhe do të synojë një tjetër titull.

Superfuqia e topkëmbës së vajzave arriti të kalonte, edhe pse me shumë vështirësi, “hirushen” e turneut francez, Anglinë, me shifrat 2-1, duke iu falur edhe portieres Alisa Neher, që priti në fund një penallti.

Në mungesë të njërës prej kapiteneve, rebeles Megan Rapinou, SHBA e nisi ndeshjen me “blickrig”, duke shënuar që në minutën e 9-të, me anë të asaj që zëvendësoi Rapinoun, Kristen Pres.

Amerikanet, me futbollin e tyre agresiv tip-Barcelona apo tip-Liverpuli, kishin shënuar brenda 12 minutave të para në çdo ndeshje të këtij Botërori, dhe e bënë përsëri, këtë herë në stadiumin e Lionit.

Gjithsesi, Anglia nuk u dorëzua, edhe pse në mungesë të portieres Karen Bardslej. Golashënuesja e dalluar Elen Uajt barazoi shifrat duke dhënë shpresë, por Aleks Morgan realizoi golin e fitores për SHBA-në.

Pas kësaj rrjete pati një reagim të ashpër në rrjetet sociale, për shkak të festimit të amerikanes sikur pinte një gotë çaj, një lloj talljeje me traditën e njohur angleze.

Komentet, qoftë të anlistëve nëpër studiot televizive, qoftë edhe të tifozëve në rrjetet sociale, ishin të gjitha kundër Morganit, duke e quajtur mungesë respekti, dhe pa shije, veprimin e saj.

Uajt shënoi një tjetër gol për Anglinë, por që u anulua me VAR, ndërsa 7 minuta para fundit, kombëtarja britanike u godit nga mallkimi i penalltive. Kapitenia Stef Hauton gaboi, ashtu siç kishte bërë dy herë gjatë Kupës së Botës edhe Nikita Parris, dhe ashtu siç kishte vuajtur kombëtarja e djemve që nga viti 1990.

“Kjo ishte fitorja jonë më e vështirë për të arritur një finale, – pohoi trajnerja amerikane, Xhill Elis, – Anglia ishte e fortë, ashtu siç e prisnim, por ia dolëm dhe mendoj se e merituam. Shpresoj ta përfundojmë punën dhe të fitojmë kupën”.

“Nuk dua lot, por buzëqeshje nga lojtaret e mia, – tha trajneri anglez, Fil Nevil, – dhamë shpirtin në fushën e lojës, bëmë maksimumin, dhe mund të kishim fituar. Ne bëmë krenar kombin tonë dhe unë nuk mund të kërkoja më shumë. Le të fitojmë medaljen e bronzit, dhe të ecim përpara”.

Skuadra amerikane nuk pati yllin kryesor, sulmuesen Megan Rapinou, e cila ishte e dëmtuar.

Rapinou, një personalitet që ka krijuar polemika për shijet e saj seksuale dhe për kritikat ndaj presidentit amerikan Trump, deklaroi se do të bënte çmos për të qenë gati për finalen, pavarësisht dëmtimit në këmbë. SHBA do të kërkojë tani titullin e 4-ët botëror, për të thelluar rekordin e vet./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!