Festat e fundvitit, Rama dhe Manastirliu vlerësojnë bluzat e bardha

schedule09:46 - 18 Dhjetor, 2022

schedule 09:46 - 18 Dhjetor, 2022

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kanë shprehur mirënjohjen e veçantë për mjekët gjatë një mbrëmje gala të organizuar në vigjilje të festave të fundvitit.

“Zemra na e donte të ishim mbledhur të gjithë bashkë në këtë mbrëmje: mjekët, infermierët, farmacistët, fizioterapistët, stomatologët, laborantët, të 19 mijë personelin që punojnë përditë në sistemin tonë shëndetësor. Duke qenë kjo e pamundur, nëpërmjet jush dua t’ju falenderoj për punën që bëni në shërbim të njerëzve, në mbrojtje të shëndetit, me mirënjohjen më të thellë për secilin prej jush”, tha Manastirliu.

Duke folur për punësimet e reja në sistemin shëndetësor, Manastirliu tha: “Shoh shumë mjeke dhe mjekë të rinj këtu sonte. Dhe jam e lumtur që mbyllim një tjetër vit, me më shumë profesionistë të rinj të shëndetit mes nesh. Mbi 335 mjekë dhe 950 infermierë u janë bashkuar ekipeve tona mjekësore gjatë këtij viti”.

Duke folur për modernizimin e mëtejshëm dhe rritjen e aksesit dhe cilësisë së shërbimit shëndetësor, Ministrja Manastirliu u shpreh: “Bashkë me fillimin e zbatimit të autonomisë spitalore, incentivat financiare për stafet mjekësore, shtimin e investimeve në teknologji dhe inovacion, një tjetër kapitull do të hapet për mjekësinë në vend. Dhe ju mjekë të rinj apo me përvojë, do të jeni një pjesë e thelbesore e këtij transformimi”.

Një ceremoni e veçantë u organizua në nder të mjekëve dhe infermierëve të shëbimit shëndetësor me rastin e festave të fundvitit, ku u shpërndanë certifikatat e mirënjohjes për disa ekipe mjekësore si: Shërbimi i kirurgjisë në Spitalin e Shkodrës, Shërbimi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Shërbimet e Kardiologjisë në QSUT, Shërbimi i Urgjencës Kombëtare dhe Urgjenca e Traumës, Spitali Memorial dhe Shërbimi Infektiv dhe Spitali “Shefqet Ndroqi”. Ndërsa me Yllin e Mirënjohjes u nderua prof. Besim Elezi./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!