Osmani takohet me ambasadorin Hovenier: Për situatën në veri jemi në koordinim me SHBA dhe aleatët e tjerë

schedule17:44 - 15 Dhjetor, 2022

schedule 17:44 - 15 Dhjetor, 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier. Siç ka njoftuar presidenca, Osmani dhe Hovenier kanë biseduar për zhvillimet e fundit dhe në veçanti për dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier më të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit e në veçanti rreth dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Presidentja Osmani theksoi se ky përbën një hap të rëndësishëm për përmbushjen e vizionit të Kosovës për integrim në strukturat euroatlantike.

Në takim u diskutua po ashtu edhe për zhvillimet në veri të vendit. Presidentja Osmani nënvizoi përkushtimin e institucioneve të Republikës për koordinim të rregullt e të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Kujtojmë që sot kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti i dorëzoi Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Kurti në Pragë të Republikës së Çekisë, fillimisht zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky.

Pastaj, kryeministri Kurti u prit nga ministri për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulas Bek. Krerët e shtetit e kanë konsideruar këtë si moment historik që i hap rrugë fillimit të procesit të anëtarësimit dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!