Edi Rama takohet me drejtuesit e Policisë së Shtetit

schedule13:26 - 2 Korrik, 2019

schedule 13:26 - 2 Korrik, 2019

Kryeministri Edi Rama ka falenderuar publikisht punonjësit e Policisë së Shtetit për punën e sakrificën para e gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore. Shefi i qeverisë ka kërkuar vënien në zbatim të teknologjisë për kontrollin e rrugëve e territorit, duke premtuar reforma në Policinë e Shtetit.

Pas falenderimit në emër të çdo Shqiptari për sigurinë e zgjedhjeve të 30 Qershorit, Kryeministri Edi Rama, i kërkoi ministrit të Brendshëm dhe drejtuesve të Policisë që të marrin në kontroll rrugët e vendit dhe të frenojnë ndërtimet pa leje në vijën bregdetare.

“Zoti Ministër, nuk dua më vonesë në projektin e monitorimit përmes teknologjisë së lartë të rrugëve të vendit dhe të rritjes së kontrollit dhe transparencës së drejtuesve të mjeteve. Si dhe mbi origjinën dhe përdorimin e çdo automjeti. Ju kërkoj sot hedhjen menjëherë në veprim për të identifikuar, ndalur dhe penalizuar çdo subjekt që ushtron aktivitet ndërtimor të paligjshëm”, tha Rama.

Kreu i Qeverisë foli për reformat që duhen bërë në Policinë e Shtetit, duke premtuar paga më ta larta dhe logjistikë më të mirë për punonjësit.

“Vini në zbatim një plan pune  për edukimin në vazhdim të policisë që nga trajnimet profesionale dhe fizike tek mësimi i pandarë i edukatës ligjore dhe asaj qytetare. Ka ardhur koha për të riparo pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe brenda mundësive të buxhetit të shtetit, e para rritje pagash në vijim do jetë për Policinë e Shtetit. Rritja e kërkesës së llogarisë ndaj vetes është parakushti për çdo arritje të re”, tha Rama.

Gjatë protestave të opozitës sipas Ramës u lënduan afërsisht 60 efektivë dhe një ndër ta ishte edhe Ina Nuka, e cila, u dekorua nga me medaljen “Ylli i Mirënjohjes”.

Për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, Policia e Shtetit ruajti një nivel të lartë sigurie para gjatë dhe pas zgjedhjeve të 30 Qershorit, duke mos u shkëputuar nga fokusi i saj që është lufta kundër krimit të organizuar./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!