Situatë aspak pozitive te skuadra e Partizanit në prag të ndeshjes ndaj Karabag. Përtej mbrojtjes që nuk garanton siguri, të kuqtë kanë probleme edhe në fazën sulmuese.
Skuadra e Partizanit do të vijojë me Shqipëri përgatitjet për ndeshjen e turit të parë të Champions ndaj Karabag. Të kuqtë kanë zhvilluar dy miqësore nën drejtimin e trajnerit italian Franko Lerda, ku skuadra është paraqitur larg pritshmërive.
Mbrojtja rezulton reparti me problematik në dy takimet e zhvilluara në Slloveni. Si të mos mjaftonte kjo, në kampin kryeqytetas shtohen problemet edhe në fazën sulmuese.
Sulmuesi Jurgen Bardhi rrezikon dy ndeshjet ndaj skuadrës azere pasi stërvitet i diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës. Nëse Bardhi nuk do te jete gati për sfidën e datës 10 Korrik, në vendin e tij mund të startojë nga minuta e parë Emanuel Mensah.
Natyrisht që nuk mund ta mbulojë plotësisht rolin e talentit Bardhi, por mund të përshtatej si një sulmues më i tërhequr. Gjithsesi ndryshimi në sulm do të bëhet në bazë të formacionit që trajneri Lerda do të hedhë në fushën e lojës.
Partizani ka shumë pak shanse ndaj skuadrës së Karabag pasi këta të fundit marrin pjesë rregullisht në fazën e grupeve të Champions ose Europa League, por tek kampionët në fuqi të Shqipërisë mbizotëron optimizmi./ABC News Albania 24/7