Arrestimi i Kapitenes se “Sea Watch”, luftë fjalësh Itali – Gjermani

schedule08:20 - 1 Korrik, 2019

schedule 08:20 - 1 Korrik, 2019

Italia dhe Gjermania janë përfshirë në një luftë replikash pas arrestimit të kapitenes së anijes me emigrantë, që ankoroi pa leje në portin e Lampeduzës. Ndërsa presidenti gjerman kërkon që 31-vjeçarja të mos trajtohet si kriminele, Roma i benë thirrje Berlinit të mos përzihet në punët e saj të brendshme.

Një luftë fjalësh ka nisur mes Gjermanisë dhe Italisë në lidhje me arrestimin e kapitenes gjermane të anijes me emigrantë “Sea Watch 3”, që sfidoi urdhrin e autoriteteve italiane duke ankoruar anijen në portin e Lampeduzës.

Zëvendës kryeministri i Italisë, Mateo Salvini me irritim refuzoi thirrjen e palës gjermane që të mos e trajtonte kapitenen si një kriminele. Presidenti gjerman Frenk Valter Shtajnmajer deklaroi se, si një vend anëtar i Bashkimit Europian, Italia duhet ta trajtojë çështjen ndryshe, pasi sipas tij, ata që shpëtojnë jetë nuk janë kriminelë. Nga ana e tij, Salvini i bëri thirrje Gjermanisë që të heshtë.

“I kërkojmë presidentit gjerman që të shqetësohet për atë që ndodh në Gjermani dhe nëse është e mundur t’u kërkojë qytetarëve të tij të mos shkelin ligjet italiane”, reagoi Salvini. Karola Rakete, 31 vjeç, u arrestua ditën e shtunë kur anija hyri në port pa lejen e autoriteteve. Ajo kishte qenë nën hetim nën dyshimin se ndihmonte trafikantët e qenieve njerëzore, në kuadër të ligjeve të futura nga qeveria e Salvinit për të mos u ardhur në ndihmë anijeve joqeveritare.

Qeveria italiane e akuzon kapitenen Rakete, e cila ndodhet në arrest shtëpie, për vënien në rrezik të jetëve të 4 oficerëve të policisë, që iu afruan anijes me një varkë. Salvini e quajti veprimin një akt kriminal të barabartë me një akt lufte./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!