Në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes së nesërme me Brazilin, tekniku i Koresë së Jugut, Paulo Bento e ka konsideruar çnjerëzore nga FIFA, kohën e shkurtër, që u dha ekipeve për t’u përgatitur, për ndeshjet e fazës së 1/16-ve.
“Është diçka çnjerëzore, FIFA kështu u jep kushte më të këqija atyre që tashmë kanë më pak shanse për të fituar. Tashmë është e vështirë të konkurrosh me Brazilin që është kandidati kryesor për të fituar Kupën e Botës, me këto kufizime është edhe më shumë”,- tha Bento.
Më tej në fjalët e tij, tekniku i “tigrave” foli dhe për brazilianin Neymar, ku tha se në do jetë në dorën e Tite, nëse ai aktivizohet apo jo, ndërsa për ndeshjen Bento tha se, Korea do të tregojë imazhin e një ekipi, që dëshiron të konkurrojë deri në fund.
“Unë do të isha hipokrit nëse do të thosha se është më mirë të luash kundër Neymar sesa pa të në fushë, por të jem i sinqertë unë gjithmonë preferoj lojtarët më të mirë të luajnë. Do të jetë në dorën e Tite të vendosë dhe kjo do të jetë në dorën tonë që të vendosim strategjinë më të mirë për t’u përballur me ta. Brazili ka mundësi të mëdha, ne më pak, por në një ndeshje kemi më shumë shanse se në një kampionat të tërë. Nuk kemi asgjë për të humbur, vetëm për të fituar. Ne duam të japim imazhin e një ekipi që dëshiron të konkurrojë deri në fund”,- është shprehur Bento. /i.m /abcnews.al