Siri: Nëse Turqia nis sulmet tokësore, forcat kurde do të mbrohen

schedule18:38 - 29 Nëntor, 2022

schedule 18:38 - 29 Nëntor, 2022

Forcat kurde siriane i kërkojnë Rusisë të parandalojë një sulm të mundshëm tokësor turk, ndërsa i kërkojnë SHBA-së të bëjë paralajmërime më të forta ndaj Turqisë.

Forcat kurde në Siri i kanë kërkuar Rusisë që të ushtrojë presion Turqisë, e cila po bombardon zonat e tyre në Sirinë verilindore, tha sot shefi i Forcave Demokratike Siriane (SDF), Mazloum Abdi.

Gjatë një konference për shtyp në internet, Abdi tha megjithatë se Forcat Demokratike Siriane të mbizotëruara nga kurdët “do të mbrojnë veten” nëse Turqia nis një sulm.

Që nga 20 nëntori, Ankaraja ka nisur bombardimet ajrore në Sirinë verilindore kundër pozicioneve të luftëtarëve kurdë, anëtarë të organizatave që Ankaraja i përshkruan si “terroriste”.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan javën e kaluar përsëriti synimin e tij për të urdhëruar, “kur të jetë koha e duhur”, një sulm tokësor.

Që nga 20 nëntori, rreth 75 njerëz janë vrarë në sulmet turke, kryesisht luftëtarë të SDF-së, si dhe rreth dhjetë civilë dhe ushtarë sirianë, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut./abcnews.al/