Kuvendi i Kosovës sot votoi pro ligjit për tatim mbi të ardhurat në koorporata, i cili e kompleton dhe e mundëson implementimin e Ligjit për Sponsorizim, me të cilin shpresohet se sporti kosovar do ta tejkalojë krizën e madhe financiare e infrastrukturore dhe se do t’i hapen rrugë zhvillimore.
Ligji për Sponsorizim, i miratuar në Kuvendin e Kosovës, jep shpresë për zhvillim të hovshëm të sportit kosovar. Kjo pasi sponsorizuesit në sport do të kenë 30 për qind zbritjeje nga tatimi në fitim.
Në këtë mënyrë, Kosova vendosi të ndjekë praktikën e njërës prej shteteve me sportin më të zhvilluar – Gjermanisë. Sipas ligjit, sponsorizuesve në sport do t’u njihen zbritjet prej 30 për qind të tatimit në fitim.
Këto lehtësira gëzojnë edhe sponsorizuesit në sportin gjerman. Ky ligj i ka dhënë shpresë të madhe për avancimin e sportit kosovar, i cili edhe ashtu është promovuesi kryesor i Kosovës në arenën ndërkombëtare, edhe pse ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet, të cilat zanafillën e kanë pikërisht te kriza financiare dhe mungesa e madhe e donatorëve, të cilët nuk kishin pse të sponsorizonin në sport pa kurrfarë kompensimi.
Kosovës i janë dashur tri vjet për t’u bërë me ligj gjerman. Qysh në vitin 2016 Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, ishin shkuar në Frankfurt ku kishin zhvilluar takime me deputetë, udhëheqës të sportit gjerman, biznese gjermane dhe zyrtarë të ministrisë së financave gjermane prej të cilëve kishin marrë këshilla, modalitete dhe përvoja se si ta bëjnë edhe Kosovën me një ligjin të mirë dhe në interes të shpëtimit dhe zhvillimit të sportit. Tashmë është fakt dhe Kuvendi e ka hedhur hapin duke miratuar ligjin e sponsorizimit./ABC News Albania 24/7