Humbja e Stambollit, aleatët braktisin Erdogan

schedule22:18 - 27 Qershor, 2019

schedule 22:18 - 27 Qershor, 2019

Pas humbjes së Stambollit në zgjedhjet lokale të Turqisë, dy ish-themelues të partisë së presidentit Erdoan kanë vendosur të shkëputen nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim dhe krijimin e një subjekt të ri politik, që do të rivalizojë kreun e shtetit. Lëvizja përbën një goditje për pozitat e Erdoan.

Dy figura të hershme të partisë së presidentit Recep Taip Erdoan, në Turqi, po planifikojnë krijimin e një grupi të ri politik. Lajmin e kanë bërë të ditur burime në dijeni të lëvizjeve politike turke, të cituara nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas burimeve, bëhet fjalë për një lëvizje që ka gjasa të gërryejë mbështetjen për liderin turk, pas goditjes së marrë në zgjedhjet lokale me humbjen e Stambollit. Pas planit për shkëputje janë ish-zëvendës kryeministri Ali Babaçan dhe ish-presidenti Abdullah Gyl, të dy bashkëthemelues të partisë së Erdoan për Drejtësi dhe Zhvillim.

Zgjedhjet e së dielës shënuan humbjen e dytë të Erdoan, që përmes përsëritjes së tyre synonte të ruante kontrollin mbi qytetin më të madh të Turqisë. Gjithashtu, humbja inkurajoi kritikët e presidentit brenda partisë së tij, që prej kohësh kanë projektuar krijimin e subjekteve rivale për shkak të pakënaqësisë ndaj pushtetit të rritur të Erdoan.

Me reçesionin ekonomik, papunësinë dhe inflacionin e lartë që kanë dëmtuar qytetarët turq dhe kanë tkurrur mbështetjen për partinë për Drejtësi dhe Zhvillim, krijimi i një lëvizjeje të re politike përbën pa dyshim një goditje të rëndë për subjektin politik në fjalë, që aktualisht mbështetet tek aleanca me nacionalistët për të ruajtur mazhorancën në Parlament.

Burimet e cituara nga agjencia “Reuters” kanë deklaruar se Babaçan dhe Gyl ka gjasa ta formojnë partinë e re në vjeshtë dhe do të synojnë rikthimin e politikave të viteve të para të partisë së Erdoan, që asokohe promovoi një islam të moderuar me prirje perëndimore, si dhe promovoi tregun e lirë, gjë që i ofroi mbështetjen popullore afatgjatë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!