“Nji prej nesh”, filmi i zi me “pullë të kuqe”, protagonistët rrëfehen në LOG

schedule11:43 - 26 Nëntor, 2022

schedule 11:43 - 26 Nëntor, 2022

“Nji prej nesh” është filmi më i fundit shqiptar me skenar dhe regji nga Ergys Meta, që po shfaqet në disa kinema në Shqipëri. Filmi zhytet në dhunën dhe korrupsionin e një Tirane në prag zgjedhjesh lokale, ku djali i kryetarit të Bashkisë me truprojat e tij dhunojnë 2 efektivë policie.

Sula, punonjës policie me gradën “inspektor”, mbi të tridhjetat, me origjinë nga Shkodra dhe ish-veteran i luftës së Kosovës, vuan pasojat e kësaj eksperience të fortë. Dhe ndonëse ka përfunduar me devotshmëri shkollën e policisë, ai ndihet i pafuqishëm për të ushtruar profesionin në përputhje me kodin e tij moral. Në kontakt me realitetin e përditshëm, Sula ndjen se duhet të bëjë diçka për t’i dhënë kuptim jetës, në një qytet ku korrupsioni ka kapur majat e pushtetit.

I ftuar në LOG., regjisori dhe skenaristi Ergys Meta e kategorizoi filmin e tij si “neo noir”, një nënrrymë kinematografike e valës së re të “filmave të zinj” si “Mulholland Drive” i David Lynch, apo “Blade Runner” i Ridley Scott. Kolona e zanore e Bled Borakut është thjesht e jashtëzakonshme, një zhytje në trans në një botë dhune, deliri dhe korrupsioni.

Në LOG. Ergys Meta shpjegoi si e ka realizuar këtë film, – i pari me metrazh të gjatë për të, – dhe si i ka përzgjedhur dhe ka bashkëpunuar me aktorët. Një prej tyre është Enkel Gurakuqi, regjisori i LOG., i diplomuar i shkollës së kinematografisë “Marubi”. Për kohëzgjatjen e një interviste Keli la regjinë e LOG. për të dalë përpara kamerave, për të folur për eksperiencën e punës nën drejtimin e një tjetër regjisori.

Mirëpo “filmi i zi” i Ergys Metës ka një skenë “të nxehtë”, që nuk i shohim shpesh në filmat shqiptarë, që ka për protagonist pikërisht Kelin. Me sportivitet ai tregoi si kishte reaguar kur lexoi skenarin, çfarë i tha bashkëshortja dhe si e kishte xhiruar këtë skenë në sheshxhirim, ku, nën syrin e kameras, do të duhet të puthte dhe zhvishte plot pasion partneren e tij në film, një person i panjohur për të. Sipas Kel Gurakuqit skena kishte pasur tre dubla dhe gjithçka kishte kaluar në mënyrë shumë profesionale.
Filmi “Nji prej nesh” është nominuar në disa kategori në Festivalin e Filmit të Romës, përfshirë “filmi më i mirë”, “regjia më e mirë”, etj.

Skeda e Filmit
“Nji prej Nesh”
Regjia dhe Skenari: Ergys META
Producente: “ERA FILM”/Sabina KODRA
Drejtor Fotografie: Shpëtim BACA
Muzika: Bled BORAKU
Aktorë: Alban UKAJ, Kasem HOXHA, Alfred TREBICKA, Sebina MATLIJA, Enkel GURAKUQI

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!