Ministri për Brexit: “Mbretëria e Bashkuar nuk do të paguajë asnjë faturë”

schedule14:47 - 10 Dhjetor, 2017

schedule 14:47 - 10 Dhjetor, 2017

Ministri për Breksit, David Davis, bëri me dije se Mbretëria e Bashkuar nuk do të paguajë asnjë faturë për daljen nga BE pa marrë një marrëveshje tregtare. Ndërsa për kufirin me Irlandën, theksoi se do të mbahet i lirë dhe pa pengesa.

Negociatori i Mbretërisë së Bashkuar për Breksit, David Davis, është shprehur me shumë qartësi ndërsa po komentonte marrëveshjen e arritur nga kryeministrja Tereza Mej në Bruksel. Akordi i lejon britanisë që të kalojë në fazën tjetër në bisedimet me Bashkimin Europian. Davis nënvizon se marrëveshja e nënshkruar nuk është “ligjërisht e zbatueshme”, që nënkupton se nëse Britania e Madhe nuk do të marrë një marrëveshje tregtare me BE-në, atëherë nuk do të paguante faturën e divorcit.

Shuma që Londra do të paguajë llogaritet të jetë rreth 50 miliardë euro. Kancelari, Filip Hamond ka pranuar se kjo shumë do të paguhet edhe nëse nuk arrihet një marrëveshje tregtare me BE-në.
Ministri për largimin nga Unioni, foli edhe për çështjen e kufirit me Iralndën ku tha se Britania është e përkushtuar ta mbajë atë “të padukshëm dhe pa pengesa”. Dhe premtoi se do të “gjente një mënyrë” për ta bërë këtë edhe nëse nuk do të kishte “asnjë marrëveshje Breksit”.

Davis theksoi gjithashtu se mundësitë e daljes së Britanisë pa një marrëveshje kanë rënë në mënyrë dramatike pas deklaratës së përbashkët të së premtes mes Londrës dhe Brukselit. Ministri bëri me dije se kërkon një marrëveshje tregtare me Unionin në të njëjtën formë siç e ka BE me Kanadanë.
Ndërkohë, liderët europianë do të rekomandojnë fillimin e fazës tjetër për Breksit pas samitit të së enjtes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!