NATO miraton rezolutën: Të shpallim Rusinë “shtet terrorist”, bën thirrje për krijimin e Gjykatës Speciale

schedule12:19 - 22 Nëntor, 2022

schedule 12:19 - 22 Nëntor, 2022

Asambleja Parlamentare e NATO-s ditën e djeshme, 21 nëntor, miratoi unanimisht një rezolutë ku i kërkon vendeve anëtare të shpallin Rusinë si shtet terrorist dhe të hetojnë zyrtarët rusë për krime lufte në Ukrainë.

Të 30 anëtarët e Aleancës mbështetën propozimin e delegacionit dhe miratuan rezolutën që e njeh Rusinë si një “shtet terrorist” sipas ligjvënësit Yehor Cherniev, kreu i delegacionit të përhershëm të Ukrainës në AP të NATO-s.

Rezoluta gjithashtu apelon për ngritjen e një gjykate të posaçme ndërkombëtare në lidhje me agresionin e Rusisë në Ukrainë, tha Cherniev.

“Një gjykatë e tillë do të bëjë të mundur dënimin jo vetëm të autorëve të drejtpërdrejtë të krimeve të luftës, por edhe të udhëheqjes së lartë ruse,” shtoi ai.

“Rezoluta e quan Rusinë kërcënimin më të drejtpërdrejtë për sigurinë euro-atlantike,” tha Tomas Valasek, kreu i delegacionit sllovak në AP të NATO-s.

“Aty thuhet qartë se shteti i Rusisë, nën regjimin e saj aktual, është një shtet terrorist”, shtoi ai, shkruan The Kyiv Independent. 

Ai theksoi se Rusia ka shkelur marrëveshjet e saj me aleancën, kështu që dispozita e kufizimit të vendosjes përpara të trupave është “nul dhe e pavlefshme”.

Dokumenti përfshin gjithashtu kërkesat e Ukrainës për të rritur ndihmën ushtarake, zhvillimin e hapave specifikë në lidhje me pranimin e  Ukrainës në NATO dhe krijimin e një mekanizmi për mbledhjen e dëmshpërblimeve nga Rusia për dëmet e shkaktuara nga agresioni i saj, sipas diplomatit ukrainas.

Rezoluta do t’u dërgohet qeverive dhe parlamenteve të të gjitha vendve anëtare të NATO-s.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 14 nëntor miratoi një rezolutë duke thënë se Rusia duhet të jetë përgjegjëse për shkeljet e ligjit ndërkombëtar gjatë luftës së saj në Ukrainë dhe duhet të paguajë dëmshpërblime të luftës.

Sipas votimit, 94 vende e favorizuan masën, 14 vende, përfshirë Kinën dhe Iranin, votuan kundër, ndërsa rreth 73 vende abstenuan./Abcnews.al/