Basha apel qytetarëve për bojkot në 30 qershor

schedule22:37 - 25 Qershor, 2019

schedule 22:37 - 25 Qershor, 2019

Kryetari i Partisë Demokratike bën thirrje për bojkot të zgjedhjeve të 30 qershorit. Në një deklaratë nga selia blu mbrëmjen e të martës, Basha tha se edhe opozita do bëjë ç’ka mundet kundër zgjedhjeve farsë të cilat nuk i njeh.

Lulzim Basha u kërkon publikisht qytetarëve të bojkotojnë zgjedhjet vendore të dielën e 30 qershorit. Thirrja e re e kreut të opozitës pason ato të mëparshmet se opozita nuk do lejojë mbajtjen e zgjedhjeve që i quan farsë.

“Ju ftoj që të mos dilni të mos bëheni pjesë e kësaj farse, e cila i shërben vetëm krimit dhe pushtetit personal të Edi Ramës. Këto zgjedhje janë nul. Ato nuk do të njihen. Ato nuk do të jenë.
Ju ftoj t’i dënoni ato me braktisjen tuaj. …..Unë dhe opozita do të bëjmë çdo gjë që mundemi kudhër kësaj farse të paligjshme dhe kriminale! Ju ftoj edhe juve të bëni tuajën duke i braktisur.
Ju siguroj se çdo gjë do të bëhet mirë. Ju siguroj se fundi i Edi Ramës është pranë.

Sipas Bashës votimet farsë, nën frikë dhe terror, ishin një nga elementët kryesorë të diktaturës të tilla janë edhe këto zgjedhje vendore sipas kryeopozitarit.

Edi Rama po kërkon të mbajë zgjedhje farsë, gjoja demokratike për të zgjatur jetën e regjimit të tij kriminal dhe autokratik, edhe për pak. Njësoj si më 1991, qytetarët ftohen të shkojnë në qendra votimi, të marrin një fletë votimi, në të cilën ka një emër dhe ta hedhin atë në një kuti, pa asnjë fshehtësi. Njësoj si atëherë, vota është shpallur plumb kundër armiqve të regjimit. Njësoj si atëherë, regjimi mundohet të shtypë pakënaqësinë e njerëzve. Ramiz Alia nuk e shpëtoi dot regjimin kriminal enverist. As Edi Rama nuk do ta shpëtojë dot regjimin e tij kriminal. Por fati i Edi Ramës duket se do të jetë më i keq se i Ramiz Alisë”.

Lulzim Basha  akuzoi Ramën se në të gjitha protestat e opozitës, dhe takimet elektorale si dhe me partneret ndërkombëtare ka akuzuar opozitën për dhunë./ABC News Albania 24/7