Shirat kanë krijuar një situatë të pazakontë edhe në bashkinë e Pukës.
Si pasojë e rrëshqitjeve në disa akse rrugore rurale që lidhin fshatrat me qendrat e njësive administrative janë izoluar.
Dëmtime janë shkaktuar edhe në urat këmbësore duke pamundësuar frekuentimin e shkollës nga disa nxënës në fshatra të ndryshëm.
Në disa fshatra mungon energjia elektrike si pasojë e këputjes së linjave dhe djegies së transformatorëve.
Rrëshqitje masive janë shënuar edhe në akset nacionale, kryesisht në atë Kryqëzim Hadroj-Gjegjan-Mirditë.
Bashkia e Pukës ka nisur punën për nxjerrjen nga izolimi të fshatrave, ndërsa për rikthimin në normalitet duket se do të jetë e pamundur për shkak të mjeteve të kufizuara dhe financave të pamjaftueshme për përballimin e dëmeve të tilla.
Kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj u shpreh se situata e mbrëmshme ishte e paparashikuar dhe intensiteti i reshjeve shkaktoi dëme në infrastrukturë, kanale vaditëse, kulluese, ura dhe shumë vende të rëndësishme që kanë të bëjnë me lëvizjen e qytetarëve.
Gjonaj: Ne jemi shpërndarë në të gjitha njësitë administrative dhe po evidentojmë dëmet reale, mundësinë për t’i përballur. Një fat i mirë është se nuk patëm dëmtime nëpër shtëpi dhe njerëz.
Prej 2 ditësh Shqipëria është pushtuar nga moti i keq. Ditën e djeshme u shënuan dhe dy viktima në Malësinë e Madhe, babë e bir të cilët ishin duke udhëtuar me makinë në momentin që mjeti i tyre “i përpi” nga rrjedha e Përroit të Thatë./Abcnews.al.