Rama vendos firmën, konfiskon 15 ndërtime pa leje: S’ka më të marrë që i hyjnë kësaj aventure

schedule13:33 - 21 Nëntor, 2022

schedule 13:33 - 21 Nëntor, 2022

Kryeministri i vendit, Edi Rama përmes një videomesazhi në Facebook, ka bërë me dije se ka firmosur 15 procedura konfiskimi ndërtimesh, pasi kanë kaluar nëpër të gjitha hallkat ligjore.

Rama: Sot kam firmosur pas kalimit në të gjitha hallkat ligjore, plot 15 procedura konfiskimi ndërtimesh, ku për qëllime fitimi janë tejkaluar kufijtë ligjorë të lejeve ose në disa raste është ndërtuar komplet pa leje fare. Ndërtimet e konfiskuara do të përdoren për interes publik. Hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit, që sipas rastit do t’i shfrytëzojë për mjedise zyrash për administratën, për strehim social ose shërbime sociale.

Sipas kryeministrit, operacioni i shtrirë edhe përtej Tiranës ka pasur probleme gjatë 30 viteve, por tani kanë ngushtuar rrethin e shkeljeve.

Rama:  Ky operacion ligjzbatimi, i cili ka vazhduar përtej Tiranës, në një fushë ku e dini shumë mirë, të gjithë ka pasur shumë probleme në 30 vjet, dhe ku kemi ardhur duke ngushtuar rrethin e shkeljeve, përbën edhe kapakun e kësaj historie, pasi s’besoj se do gjenden më të atillë të marrë që t’i hyjnë një aventure me fund të paralajmëruar. Kur e nisëm çfarë nuk dëgjuam dhe me çfarë nuk u helmua opinioni publik! “Është thjesht show për të larguar vëmendjen”! Ja që nuk ishte e vërtetë. “Është pazar me oligarkët për t’ua kthyer mbrapsht të legalizuara metrat e katet pa leje”! Ja që as kjo s’ishte e vërtetë. “Është amnisti për t’i shpëtuar nga ndëshkimi ligjor”! Gënjeshtër e madhe edhe kjo, sepse qeveria nuk e ka fuqinë ligjore të amnistojë askënd dhe edhe po të dojë madje dhe konfiskimet nuk i japin askujt imunitet nga drejtësia.

Ai sërish ka drejtuar gishtin drejt drejtësisë, dhe u shpreh se dosjet dhe letrat kanë kohë që flenë në Prokuroritë e rretheve.

Rama: E vërteta është që për të gjitha këto, letrat kanë kohë që flenë nëpër prokuroritë e rretheve. Fatkeqësisht jetojmë në një kohë ultësie morale e tretjeje të normave etike, ku pasqyrat e informimit janë shëmbëlltyrat më ulëritëse të dezinformimit dhe ku gjysmë të vërtetat, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, mbushin pa pushim kanalet e komunikimit. Gjithsesi, unë do të vazhdoj të them atë që bëj dhe të bëj atë që them, deri në fund!

/Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!