Dy persona janë arrestuar nga policia e Mallakastrës si autorë të dyshuar të vjedhjes së ndodhur ditën e djeshme në fshatin Klos.
Mëngjesin e djeshëm, 19 nëntor, rreth orës 08:00 është njoftuar salla operative se në orën 02:30, në fshatin Klos, Mallakastër, kishte ndodhur një vjedhje me dhunë, në një banesë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan punën për zbardhen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Pas hetimeve, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i personave që, nën kërcënimin e armës së zjarrit, i morën me dhunë një shumë parash, shtetasit Ç. Sh., 89 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Bazuar në provat e grumbulluara, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në ndërveprim me të gjitha strukturat e DVP Fier dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Klosi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve H., 22 vjeç, banues në Fier dhe M. G., 28 vjeç, banues në Portëz, Fier.
Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi F. Ç., 16 vjeç, banues në Roskovec, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarri tip automatik me një krehër me fishekë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, e kryer në bashkëpunim, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Moskallëzimi i krimit”./Abcnews.al/